Sport

“Rryma” e Besës, Balaj, bën atë që synonte babi i tij 20 vjet më parë në Zvicër

Në një të diele në mbrëmje, në një ndërtesë familjare në dalje të Aaraut, Liridon Balaj hap derën e banesës në katin e tretë dhe na dërgon në dhomën e ndenjes, derisa shqelmon një top pranë divanit.

48 orë më parë ai kishte shënuar tre gola kundër Lausanne-Sport, liderit të ligës së dytë të Zvicrës, shkruan "ZT".

Paraqitja e jashtëzakonshme në fitoren prej 5:4 kundër liderit të ligës, jo vetëm që dërgoi në trans tifozët e “FCA-së”, por atij nuk i ndalej telefoni nga mesazhet e shumta. Në Kosovë ai është vlerësuar si hero nga mediat që e shohin si një eksport të vendit, ndërsa menaxheri i tij, Leonard Berisha, i cili përkthente gjatë intervistës, tregonte se kanë nisur qysh tashmë skuadrat e para të interesohen për klientin e tij.

20-vjeçari vlerësohet për guximin në driblime, është i shpejtë, konkret para portës dhe plot zell për të përfituar nga mundësia unike për një karrierë të shkëlqyer. Balaj është prototipi i asaj që kërkojnë klubet në ligën elite zvicerane. Por, ai është akoma nën kontratë me FC Aaraun deri në vitin 2021.

Historia e tij është si e shumë kosovarëve që e kanë përjetuar luftën.

Kur shpërtheu lufta në Kosovë, në shkurt të vitit 1998, prindërit e Balajt, babai Rrustemi dhe nëna Kumrije, ishin në mesin e atyre që ikën nga shtëpitë e tyre dhe përfunduan në Zvicër, në një shtëpi refugjatësh në La Chaux-de-Fonds. Fëmija i parë që lindi në Zvicër ishte vajza Marigona. Një vit më vonë, më 15 gusht 1999, lindi Liridoni.

Familja shpresonte në një leje qëndrimi të përhershme, por pas dy vjetëve vendimi i autoriteteve ishte negativ, kështu që Balajt u desh të shpërnguleshin në Suedi.

"Mbaj mend që vrapoja nëpër shtëpitë e përbashkëta me fëmijët e tjerë refugjatë," thotë Liridoni. Por, para se të niste shkollën, atij dhe familjes së tij u paraqitet një pengesë e radhës: Suedia gjithashtu mohon qëndrimin e përhershëm dhe Balajt detyrohen të kthehen në Kosovë. Për fat të mirë, Kosova po rindërtohej pas tmerreve të luftës. Babai Rrustem gjeti një punë si marangoz në Isniq, një fshat me pothuajse 4,000 banorë.