Motivimi është problemi më i vogël për ekipin e Vllaznisë së Pozheranit. Të gjithë lojtarët janë maksimalisht të motivuar në prag të ndeshjes historike, atë të barazhit për Superligë kundër Ferizajt.
Vllaznia e Pozheranit asnjëherë nuk ka qenë pjesë e elitës së futbollit kosovar. Vazhdimisht ka garuar nëpër rangjet më të ulëta dhe për këtë arsye lojtarët duan të shkruajnë historinë. Dueli në mes të Ferizajt dhe Vllaznisë zhvillohet të shtunën (sot) në stadiumin "Riza Lushta" të Mitrovicës, nga ora 16:00, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të barazhit për Superligë, që zhvillohet po ashtu në Mitrovicë, por të dielën (16:00), përballen Dukagjini i Klinës dhe Drita. Skuadrat që i fitojnë ndeshjet në edicionin tjetër do të garojnë në elitën e futbollit kosovar. Pra edicioni vendoset në këto ndeshje.
Ky motiv i madh i ekipit nga Pozherani mund t'i shkaktojë telashe Ferizajt, që tashmë e ka parasysh një gjë të tillë. Ferizaj në edicionin 2016/17 garoi në Superligën e Kosovës, ndërsa garën e mbylli në pozitën e dhjetë, duke tubuar 31 pikë në 33 xhiro të zhvilluara.
Ndërsa Vllaznia doli e treta në Ligën e Parë. Si Ferizaj ashtu edhe Vllaznia tashmë janë futur në karantinë në Mitrovicë. Ferizaj, të premten, është vendosur në Mitrovicë derisa Vllaznia një ditë më herët, të enjten. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.