Kryetari i klubit të futbollit Vushtrria, Bajrush Kajtazi ka kërkuar që të testohen gjithë futbollistët dhe stafi i klubit pas dyshimeve se dy lojtarë të tyre janë prekur me koronavirus. Për t’u testuar, Kajtazi të martën i është drejtuar për ndihmë edhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Ai ka thënë se simotmet dy futbollistët i kanë shfaqur pas ndeshjes që Vushtrria e zhvilloi të premten e shkuar ndaj klubit të futbollit Flamurtari.
“Jemi duke u marrë me rastin dhe kërkesa jonë është që ta bëjmë të gjithë testimin, sepse është shfaqur një shqetësim nga të gjithë. Dyshimet janë se të dy futbollistët janë të prekur me koronavirus, fillimisht nga njëri e më pas tjetri. Simoptomet u janë shfaqur pas ndeshjes kundër Flamurtarit. Futbollistët janë në vetizolim, derisa ne e kemi marrë me shqetësim të madh dhe nuk kemi dëshirë që të rrezikohet shëndeti i asnjërit”, ka thënë Kajtazi.
Ndërkohë edhe te klubi i Flamrutarit kërkojnë që të testohen si raste kontakti. “Nëse ndonjëri prej dy futbollistëve dalin pozitiv, sigurisht se edhe ne do të kërkojmë te testohemi”, ka thënë drejtori i klubit Flamurtari, Agim Hasani. Kujtojmë që të gjithë futbollistët, stafi i 12-të klubeve të Superligës janë testuar disa ditë para se të rifillonte sezoni i pezulluar për tre muaj shkaku i koronavirusit. Por, asnjë nga futbollistët dhe stafi nuk kishin dalë pozitiv.