Argjentinasit e vuajtur për futbollin më në fund kanë gjetur një mënyrë për të luajtur sportin e tyre të dashur, duke e mbajtur distancimin social. Për këtë lojë të futbollit, që e kanë shpikur së fundi argjentinasit, rregullat kanë ndryshuar paksa për shkak se vrapimi me top përgjatë tërë fushës duke dribluar kundërshtarët sikurse në kohën e legjendës Diego Armando Maradona, është plotësisht i pamundur, shkruan "AP".
Sistemi i lojës, i projektuar enkas për këtë kohë pandemie, është quajtur “metegol humano” ose “foosball human”. Ky lloj sistemi i përfshin ndarjen e fushës me shkumës të bardhë në 12 drejtkëndësha dhe kufizimin e secilit lojtar në një hapësirë të përcaktuar. Topi mund të kalohet nëpër drejtkëndësha, dhe lojtarët mund të driblojnë vetëm brenda zonave të tyre. Loja e modifikuar thekson kalimin dhe gjuajtjen gjatë vrapimit dhe driblimit, por vetëm në zonën e atij lojtari që e ka topin. Dhe, sigurisht që nuk ka ndërhyrje të ashpra.
Anëtarët e ekipeve amatore të Vende Humo FC dhe Los Mismos de Siempre ishin të parat që e provuan formën e re të futbollit në kompleksin sportiv “Play Futbol 5” në qytetin Pergamino, rreth 240 kilometra larg nga kryeqyteti Buenos Aires. Lojtarët u përqendruan që të mos bënin shkeljen e linjave, pasi ata driblonin dhe mbronin topin. Lënia e drejtkëndëshit nga një person, automatikisht nënkuptonte me penallti për ekipin kundërshtar. Pavarësisht rregullave të reja dhe të vështira, të dyja ekipet ranë dakord se ishte mirë të luhej përsëri futboll pas një pauze prej 100 ditësh. Futbolli profesional në Argjentinë është pezulluar që nga përhapja e pandemisë së koronavirusit, dhe lojtarët nuk po mund të stërviten. Për lojtarët amatorë që zakonisht marrin me qira fusha për lojëra futbolli, ndeshja me rregulla të reja për të mbajtur distancën sociale ishte si një rilindje.