Sport

Sportistët kosovarë synojnë pjesëmarrjen në dy ngjarje të mëdha në Beograd

Federata Botërore e Mundjes (FILA) ia ka besuar Serbisë organizimin e Kampionatit Botëror të Mundjes, i cili është paraparë të mbahet në fillim të muajit dhjetor të këtij viti në Beograd. 

Në Beograd do të organizohet edhe Botërori i Boksit, ngjarje e paraparë të mbahet gjatë muajit prill të vitit të ardhshëm. Si në Federatën e Mundjes së Kosovës (FMK), po ashtu edhe në atë të Boksit (FBOXK) kanë paralajmëruar se do t’i dërgojnë sportistët e tyre për të marrë pjesë në këto dy ngjarje të mëdha ndërkombëtare në Serbi, transmeton KOHA.

Edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) kanë insistuar se ka ardhur koha që sportistët kosovarë më në fund të marrin pjesë në ngjarjet e mëdha që organizohen edhe në Serbi. 

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes, Genci Fazlija, ka thënë se ende nuk kanë një njoftim zyrtar që Kampionati Botëror për seniorë do të mbahet në Serbi. Megjithatë, ai ka insistuar se FMK-ja do të bëjë kërkesë për pjesëmarrje. 

“Kampionati botëror për juniorë është dashur të mbahej në shtator, në Beograd, por është shtyrë sepse nuk është mbajtur kampionati evropian. Ende nuk na ka ardhur informata që kampionati botëror për senior do të mbahet në Serbi. Nëse organizohet dhe përfundon pandemia besoj që do të marrim pjesë, sepse për senior kemi marrë pjesë në kampionatin evropian që u mbajt në shkurt në Itali. Por, ende nuk kemi informatë që do të mbahet e po ashtu edhe në kalendar të garave ende nuk e kanë vendosur, të shohim”, ka thënë Fazlija të mërkurën për KOHËN. 

Por, është ministri i Rinisë dhe Sportit, Vanja Udoviçiq që mburret me vendimin që botërori i është besuar Serbisë.