Gjilani nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në duelin me Llapin.
Ndeshja e luajtur në stadiumin e qytetit në Gjilan në kuadër të xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll, ka përfunduar me rezultatin 2:2.
Skuadra e Llapit dy herë kaloi në epërsi me anë të sulmuesit të krahut, Valmir Veliu (15’, 42’), por Keita Razak (22’) dhe Gerhard Progni (90’) siguruan një pikë për ekipin e trajnerit Gentjan Mezani. Progni madje siguroi pikën me një supergol.
Me këtë barazim, Gjilani ka bërë një hap prapa në luftën për titull pasi ka 52 pikë, gjashtë më pak se Drita që prinë në tabelë.
Ndërkohë, Ballkani i ka dhënë goditjen e fundit Vushtrrisë, ekip që edicionin tjetër do të jetë pjesë e Ligës së Parë, së bashku me Dukagjinin. Futbollistët e Ballkanit nuk lejuan befasi në Suharekë, duke e mposhtur ekipin e parafundit në tabelë me rezultatin 3:1. Mirlind Daku (13’), Blend Baftiu (18’) dhe Arbër Prekazi (53’), shënuan për fitoren e Ballkanit, që me këtë triumf ngritet në kuotën e 53 pikëve. Kushtrim Fazliu (78’) shënoi për Vushtrrinë.