Sport

Superliga rinis në Podujevë

Superliga rinis në Podujevë

Te Llapi janë të vendosur për të siguruar daljen në garat evropiane për edicionin e ardhshëm, synim që duan ta realizojnë gjatë 11 ndeshjeve të mbetura të Superligës së Kosovës, që do të rinisë garat të premten (nesë). Ndeshja e parë që do ta sinjalizojë rikthimin e kampionatit të Kosovës do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” ndërmjet skuadrës së Llapit dhe Dukagjinit. Superliga e Kosovës ka qenë e pezulluar që nga data 13 mars për shkak të koronavirusit, kurse ndeshjet e para pas pandemisë u zhvilluan të martën dhe mërkurën në kuadër të Kupës së Kosovës. Dueli mes Llapit dhe Dukagjinit i takon xhiros së 23-të dhe zhvillohet të premten (sot) prej orës 16:00, kurse trajneri llapjan Tahir Batatina pret që ekipi i tij të rifillojë me fitore, aty ku edhe e la para se të pezullohej kampionati. Në fakt, kjo është ndeshja e vetme e kësaj xhiroje që zhvillohet të premten (sot) derisa ndeshjet e tjera do të luhen të shtunën dhe të dielën. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve në tribuna dhe në përputhje me udhëzimet nga institucionet përgjegjëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Gjithashtu, skuadrat kanë të drejtën e pesë zëvendësimeve për shkak të orarit të ngjeshur, pasi do të ketë ndeshje çdo tri ditë. Llapi zë pozitën e gjashtë në tabelë me 34 pikë, sa i ka edhe Feronikeli që renditet i pesti. Ndërkohë, Dukagjini është në fund të tabelës, me vetëm dhjetë pikë të tubuara. Skuadrat e Superligës në mesin e muajit të shkuar janë rikthyer në stërvitje të përbashkëta pas pauzës së gjatë. Trajneri i Llapit, Batatina, thotë se gjatë kësaj periudhe është munduar ta përgatitë ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë për këtë kohë, në mënyrë që ta rikthejmë formën që e kishim në dy xhirot e fundit para pezullimit të kampionatit ku i arkëtuam gjashtë pikë. Ekipi është i kompletuar dhe maksimalisht i motivuar për ndeshjen kundër Dukagjinit, me të cilën edhe zyrtarisht do të rifillojë Superliga. Dukagjinin do ta respektojmë si çdo kundërshtar tjetër me të cilin ballafaqohemi, por synimi ynë është fitorja, për shkak se duam të sigurojmë një vend që dërgon në Evropë për edicionin e ri, që edhe mbetet objektiv i yni deri në fund të kampionatit”, ka insistuar Batatina. “Jemi ekip stabil dhe me potencial. Do të mundohemi të bëjmë sa më pak gabime në xhirot e mbetura në mënyrë që të jemi në hap me tri skuadrat e para në tabelë. Tifozët do të na mungojnë më së shumti për shkak se ‘Legjendat’ janë forca jonë. Por, ne do të luajmë edhe për ata dhe do të japim maksimumin për të marrë fillimisht rezultat pozitiv ndaj Dukagjinit dhe pastaj të arrijmë synimet që i kemi për ndeshjet tjera”.