Sport

Futbollistët që do të jenë në fokus kur të rifillojë kampionati portugez

Nga talentet vendas, si Cristiano Ronaldo, Luis Figo, Joao Felix dhe Bruno Fernandes e deri tek importet e Amerikës së Jugut, përfshirë këtu David Luizin, Angel Di Marian e Edersonin, Primiera Liga e Portugalisë gjithmonë ka qenë një promovim apo trampolinë për lojtarët që pastaj do të shndërroheshin ndër më të mirët në botë. Kampionati portugez do të rifillojë këtë javë, më 3 qershor, pas pezullimit që nga muaji mars si pasojë e përhapjes së pandemisë COVID-19. Më poshtë janë pesë futbollistët që pritet të vazhdojnë shkëlqimin këtë edicion. Në mesin e këtyre lojtarëve të talentuar është edhe Francisco Trincao, i cili edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës së madhe nga La Liga, Barcelona. Gjithashtu, është edhe njëri prej mbrojtësve më të vlerësuar në Evropë, Ruben Dias, i cili ka një klauzolë lirimi jashtëzakonisht të lartë. Para se të pezullohej edicioni, skautë të skuadrave evropiane i kanë përcjellë nga afër paraqitjet e këtyre talenteve që kanë impresionuar.

Francisco Trincao (Sporting Braga)

Një sulmues krahu, i cili mund të luajë pa problem si në krahun e djathtë ashtu edhe në të majtin. Për Trincaon, kur të rifillojë kampionati, do të jenë ndeshjet e fundit në futbollin portugez përpara se t’i bashkohet skuadrës së Barcelonës. Barcelona në fillim të këtij viti pagoi 31 milionë euro për të siguruar shërbimet e Trincaos, i cili kërkohej nga gjysma e skuadrave të mëdha të Evropës. Trincao është produkt i akademisë së Bragas dhe së shpejti pritet të ftohet edhe nga Përfaqësuesja A e Portugalisë. Ai ka debutuar me ekipin e parë në edicionin e shkuar, kurse këtë edicion ka shtatë gola e nëntë asistime në 30 paraqitje në të gjitha garat. Presidenti i Bragas, Antonio Salvador, është i bindur se 20-vjeçari do të bëjë gjëra të mëdha me fanellën e Barcelonës dhe se do të shndërrohet në njërin prej futbollistëve më të mirë në botë, duke shkuar hapave të Cristiano Ronaldos. “Në fund të këtij edicioni do ta humbim njërin prej lojtarëve më të mirë të kampionatit tonë. Trincao është një futbollist, i cili do ta përshkruajë dekadën e ardhshme. Ai do të jetë i jashtëzakonshëm”, ka thënë Salvador.

Ruben Dias (Benfica)

Një qendërmbrojtës i jashtëzakonshëm me një parashikim të mrekullueshëm. Ruben Dias këtë edicion ka luajtur në çdo ndeshje kampionale me fanellën e Benficas dhe është mbrojtësi më i vlerësuar në Portugali. Ai gjithashtu nuk mungoi dhe ishte i pazëvendësueshëm edhe gjatë edicionit të shkuar, në të cilën e fitoi titullin e kampionit me Benfican. Dias 23-vjeçar është produkt i Benficas dhe ka kontratë deri në vitin 2024. Ai me ekipin e parë ka debutuar në vitin 2017, si dhe ka 17 paraqitje me Portugalinë. Paraqitjet e tij të mira vitet e fundit kanë bërë që skuadrat më të mëdha të Evropës të shprehin interesim për transferimin e Diasit, i cili ka një klauzolë lirimi hiç më pak se 100 milionë euro.

Carlos Vinicius (Benfica)

Skuadra e Benficas në radhët e veta ka edhe një xhevahir tjetër, por që ai nuk është produkt i akademisë dhe nuk luan mbrojtje si Ruben Diasi. Sulmuesi nga Brazili, Carlos Vinicius, këtë edicion ka treguar një formë të jashtëzakonshme, duke shënuar 15 gola në 14 ndeshje kampionale. Në fakt, ai është edhe në krye të listës së golashënuesve. Carlos 25-vjeçar, në total këtë edicion ka realizuar 20 gola dhe ka shpërndarë 12 asistime në 36 paraqitje në të gjitha garat. Edhe Carlos ka kontratë me Benfican deri në vitin 2024 dhe ka një klauzolë të lartë lirimi. Ai te Benfica është transferuar në verën e vitit të shkuar nga Napoli për 17 milionë euro, kurse në Evropë ka qenë pjesë e skuadrave si Monaco e Rio Ave.

Marcus Edwards (Vitoria de Guimaraes)

Lojtari i krahut, anglezi Marcus Edwards, ka befasuar me teknikën e tij të jashtëzakonshme këtë edicion. Në fakt, për 21-vjeçarin, ish-trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, kishte deklaruar se ka teknikën e përsosur sikurse të yllit argjentinas Lionel Messi. Edwards krahas gjashtë golave ka asistuar edhe shtatë herë në 27 paraqitje për ekipin Vitoria de Guimaraes. Reprezentuesi U-20 i Anglisë është produkt i Tottenhamit, por ekipi portugez para fillimit të këtij edicioni shfrytëzoi rastin për ta transferuar, duke i ofruar kontratë deri në vitin 2023. Edwards gjithashtu ka luajtur edhe te Excelsiori e Norwich City, por te Vitoria po shkëlqen në fushë.

Toni Martinez (Famalicao)

Sulmuesi spanjoll është golashënuesi kryesor te Famalicao, klub i vogël me plane të mëdha që pati një start të furishëm në elitën e futbollit portugez, ku për disa xhiro qëndroi edhe në krye të tabelës. Për Martinezin, ky është edicioni debutues në kampionatin e Portugalisë dhe qysh në start ka treguar paraqitje impresionuese. Ka shënuar 12 gola në të gjitha paraqitjet, kurse interesimi nuk po mungon nga skuadrat e tjera të Evropës. 22-vjeçari është ish-lojtar i West Ham Unitedit dhe Famalicao është klubi i shtatë në karrierën e tij të shkurtër si profesionist. Ai ka bërë karrierë edhe nëpër ekipet e kategorive të ulëta të Anglisë dhe Spanjës, kurse me skuadrën portugeze ka kontratë deri në vitin 2022.