Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku ka vlerësuar fitoren 3:0 ndaj Drenicës në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Ndeshja e luajtur në “Fadil Vokrri” të martën mbrëma shënon rikthimin e futbollit në vend pas pushimit të gjatë për shkak të koronavirusit.
Ndeshja është luajtur pa shikues në stadium.
“Jam i kënaqur me fitoren dhe paraqitjen e ekipit. Rezultati 3:0 është komod, por kjo në asnjë mënyrë nuk na e jep komoditetin maksimal për ndeshjen e kthimit. Do të mundohemi që edhe në ndeshjen e dytë t’ia bëjmë hyzmetin për të konfirmuar kualifikimin në finale të Kupës. Patëm shumë raste, përgatitja nuk ishte më e mira, por do të punojmë në këtë aspekt. Shpresoj që mos të kemi lëndime për shkak të orarit të ngjeshur”, ka thënë Dallku.