Sport

Prej të hënës rikthehen ngjarjet sportive

Të gjitha ngjarjet sportive garuese do të kthehen prej të hënës në Mbretëri të Bashkuar. Sporti në ishull kthehet pas më shumë se tre muajve, por aktivitetet do të zhvillohen pa praninë e shikuesve.

Ngjarja e parë e madhe pritet të jetë një garë me kuaj më 6 qershor.

Vendimin për kthim të ngjarjeve sportive prej 1 qershorit e mori Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, të shtunën.

Në një dokument të publikuar të shtunën nga departamenti përkatës janë paraqitur kriteret strikte që duhet të plotësohen për të organizuar ngjarjet.

“Pritjes i ka ardhur fundi. Sporti britanik do të kthehet së shpejti përmes ngjarjeve të sigurta dhe të kontrolluara me kujdes”, ka thënë Oliver Dowden, sekretar për sport. Sipas tij sportet tani duhet të konfirmojnë nëse mund t’iu përmbahen kërkesave.

Dowden ka konfirmuar po ashtu se përgatitjet po finalizohen që Premier League të kthehet në veprim në qershor. Ndeshjet do të rifillojnë më 17 qershor.

“Premier League mirëpret njoftimin e sotëm të qeverisë”, thuhet në një komunikatë të Premier Leagues.