Sport

AZ Alkmaar dëshiron vendin e Ajaxit në fazën grupore të Championsit

AZ Alkmaar i ka shkruar UEFA-s pasi kërkon që Konfederata Evropiane të ndryshojë vendimin e Federatës së Futbollit të Holandës (KNVB) që t’ia jap Ajax Amsterdamit vendin e vetëm të shtetit në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

Kur KNVB anuloi pjesën e mbetur të edicionit në Eredivisie, pasi kampionati ishte suspenduar në mars për shkak të koronavirusit, Ajaxi ishte lider ndërsa AZ në vend të dytë. Të dy skuadrat kishin nga 56 pikë, ndërsa Ajaxi i famshëm ka goldallim më të mirë.

Kjo ka bërë që KNVB t’ia jap Ajaxit vendin direkt në Ligën e Kampionëve, që është i rezervuar për kampionin e Holandës. Ndërkohë AZ duhet të tentojë të arrijë në fazën grupore përmes raundeve kualifikuese.

Në Holandë nuk është përcaktuar kampioni, ndërsa nuk ka pasur largim nga liga.

Te AZ besojnë se është dashur të jenë në vend të parë pasi kanë mposhtur Ajaxin në shtëpi dhe në udhëtim gjatë edicionit.

“Goldallimi nuk ofron vlerësim të duhur”, thuhet në letrën e AZ Alkmaarit për UEFA-n.

Por KNVB ka thënë se nuk e ka në plan të ndryshojë vendimin.

“UEFA e ka informuar KNVB-në dhe e ka referuar AZ Alkmaarin te ne”, ka thënë zëdhënësi i federatës, Jaap Paulsen të hënën.

“Ne e kemi njoftuar AZ-në se asgjë nuk ka ndryshuar. Ne kemi vendosur vendet për edicionin e ardhshëm të kupave evropiane në bazë të tri kritereve: transparencës, objektivitetit dhe anës sportive. Ne mbajmë renditjen dhe Ajaxi është numër një”.