Sport

Sporteve tjera në Kosovë mund t’u lejohen aktivitetet para qershorit

Foto: Driton Paçarada / Koha

Në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) nuk e kanë përjashtuar mundësinë që gjatë këtyre ditëve t’u jepet leje edhe sportistëve të sporteve të ndryshme t’i rifillojnë aktivitetet sportive. Kështu ka bërë të ditur të hënën për “Kohën”, drejtori i Departamentit për Informim në MSH, Faik Hoti.

“Do ta shohim gjatë rivlerësimit. Rivlerësimi do të bëhet para 1 qershorit. Do të varet prej situatës epidemiologjike, por nuk përjashtohet. Rivlerësimi nënkupton fazën e dytë dhe nëse duhet hapur diçka tjetër pos asaj çka është planifikuar në fazën e tretë”, ka thënë Hoti.

Hapja selektive e aktiviteteve sportive është paraparë më 2 qershor. Vetëm futbollistëve u janë lejuar stërvitjet para se të bëhet hapja selektive. Në vendimin e MSH-së që vetëm futbollit t’i lejohet kthimi në stërvitje kanë reaguar shumë sportistë dhe zyrtarë të Federatave të sporteve të ndryshme.