Sport

Fitore e rëndësishme e Werderit, Rashica zëvendësohet në minutën e 82-të

Werder Bremeni ka shënuar një fitore të vështirë, por shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë në Bundesligën e Gjermanisë në futboll. Werderi të shtunën në kuadër të xhiros së 27-të të kampionatit gjerman fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Freiburgut.

Leonardo Bittencourt shënoi golin e fitores në minutën e 19-të.

Werderi mbetet i parafundit, por tani i ka 21 pikë, dy më pak se Fortuna Duesseldorfi. Fortuna ka një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa është në pozitën e 16-të që dërgon në plejaut. Paderborni është i fundit (18) me 18 pikë.

Reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica ka startuar te Werderi, por nuk ka lënë shumë gjurmë. Është zëvendësuar në minutën e 82-të. Për Freiburgun prej minutës së 71-të luajti Amir Abrashi.

“Shumë rrallë Rashica i parrezikshëm ka kaluar me tempo mbrojtjen e Freiburgut”, ka shkruar “kicker” në komentin e ndeshjes.
Pas ndeshjes së kaluar Rashica ishte kritikuar për paraqitjen, por këtë herë skuadra e tij mori fitore me peshë, ndonëse pa shkëlqimin e tij.

Werderi në fakt ka vuajtur shumë për të mbajtur epërsinë deri në fund. Freiburgu ka bërë presion të madh dhe e ka dërguar topin në rrjetë. Por goli i Manuel Guldes në minutën e 89-të është anuluar përmes sistemit VAR për pozitë jashtë loje.