Sport

Paraqitet rasti i parë me koronavirus në Superligën e Zvicrës

Të shtunën është paraqitur rasti i parë me koronavirus në Superligën e Zvicrës në futboll. Lugano ka njoftuar se një lojtar i kësaj skuadre është testuar pozitiv për COVID-19.

Lugano ka bërë të ditur se lojtari është i ekipit profesional, por nuk ka zbuluar emrin e tij. Testet te kjo skuadër janë bërë në kuadër të planit për kthim në stërvitje të hënën. Lugano ka bërë testet, ndonëse kjo nuk është kërkuar nga Superliga.

Lojtari i prekur do të qëndrojë i izoluar për dhjetë ditë, njëjtë si një lojtar tjetër që ishte në kontakt të afërt me të infektuarin.

Dy lojtarë tjerë të skuadrës dhe po ashtu një zyrtar është dëshmuar se e kanë pasur virusin më herët, por se tashmë janë plotësisht të shëruar.

“Lugano u bënë thirrje të gjitha klubeve që të bëjnë testime kur stërvitjet të rifillojnë”, thuhet në komunikatë të Luganos.

Politikanët në Zvicër të mërkurën do të vendosin nëse Superliga në Zvicër do të rifillojë më 19 qershor. Dy ditë më vonë 20 klubet profesionale do të vendosin nëse vërtetë duan të vazhdojnë edicionin aktual apo të ndërpresin atë.

Në Zvicër luajnë shumë futbollistë shqiptarë.