Sport

Kante mund të mungojë në pjesën e mbetur të edicionit nga frika e koronavirusit

N’Golo Kante është i përgatitur të mungojë në pjesën e mbetur të edicionit, nëse ai vazhdon, pasi po frikësohet që të kthehet në stërvitje të Chelseat për shkak të koronavirusit.

Kështu ka shkruar të premten Sky Sports.

Reprezentuesi i Francës ka marrë leje që të ushtrojë në shtëpi dhe ai ka përkrahjen e plotë të trajnerit Frank Lampard dhe të bordit të klubit.

Kante, që vlerësohet lartë, kishte stërvitur të martën në qendrën stërvitore të Chelseat, por prej atëherë ka vendosur të ushtrojë në shtëpi.

Kante kishte brengosur bashkëlojtarët në vitin 2018 kur u zbeh pas një seance stërvitore. Vëllau i tij vdiq nga sulmi në zemër të njëjtin vit, ka shkruar BBC.

Vendim të ngjashëm me Kanten ka marrë edhe kapiteni i Watfordit, Troy Deeney.

Të martën ishte bërë e ditur se gjashtë raste pozitive janë paraqitur në tri klube të ndryshme të Premier Leagues. Njëri prej të infektuarve është mbrojtësi i Watfordit, Adrian Mariappa.