Sport

Katërvjetori i Kosovës në UEFA, tema kryesore e “Sportit Total”

Me rastin e katër vjetorit të pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA, Sporti Total, pjesën e parë të emisionit këtë të diel, do t’ia kushtojë kësaj ngjarjeje.

Më 3 maj të vitit 2016, në Hungari të Budapestit, u votua për pranimin e futbollit Kosovar në konfederatën e futbollit evropian, dhe që nga atëherë futbolli i Kosovës me kombëtare të të gjitha grupmoshave por edhe me klubet ka marrë lejen për të garuar ndërkombëtarisht.

Natyrisht suksesi më i madh ka ardhur me kombëtaren e seniorëve, që në kualifikime për Euro 2020, ishte afër kualifikimit përmes grupeve dhe tani e ka mundësinë përmes play-offit në Ligën e Kombeve. Për ditën e pranimit të FFK-së në UEFA, Sporti Total sjell intervistën me sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu, i cili flet për prapaskenat e 3 majit katër vjet më parë, kur Kosova me rezultat të ngushtë të votave siguroi pranimin.

Përveç bisedës me Salihun, redaksia e Sportit në KTV do të sjellë storien e veçantë për rrugëtimin e Kosovës në UEFA. Në pjesën e dytë të Sportit Total, vijnë intervistat ekskluzive me figura e personalitete të njohura të sportit kosovar, brenda dhe jashtë vendit. Intervistat interesante dhe ekskluzive janë bërë dy futbollistët e kombëtares së Kosovës Mërgim Vojvoda, Ibrahim Dresheviq dhe me Ismet Lushakun. Në një tregim të veçantë rrëfehet Edon Maxhuni basketbollisti kosovar që luan në kampionatin e Spanjës, me skuadrën Gran Canaria. Sporti Total, transmetohet çdo të diel nga ora 22:15 në KTV.