Sport

Besnik Hasi me rrëfim ekskluziv për “Sportin Total”

Descriptive Text

“Sporti Total” do të vazhdojë t’u sjellë shikuesve të vet intervista ekskluzive, në kohën kur e tërë bota e sportit vazhdon të mbetet e izoluar për shkak të pandemisë.

Këtë të diel, Redaksia e Sportit në KTV ka përgatitur tri biseda me tri personalitete të njohura sportive në vend dhe në botë.

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe trajneri i mirënjohur Besnik Hasi vjen me një rrëfim për jetën dhe karrierën e tij në Arabinë Saudite.

Hasi është trajner i kësaj skuadre që nga viti 2018, pasi më parë kishte udhëhequr skuadra si Olympiacos, Legia dhe Anderlecht.

“Ish-futbollisti dhe trajneri Hasi, i cili ka qenë ndër të parët që kishte depërtuar në arenën ndërkombëtare, duke luajtur me skuadra të njohura në Gjermani e Belgjikë, për një kohë të gjatë nuk ka qenë i pranishëm në media, për të folur për zejen e trajnerit, të cilën ai e ushtron për më shumë se një dekadë. Hasi për ‘Sportin Total’ flet për karrierën në Arabinë Saudite, te skuadra AL Raed, por edhe për të kaluarën, si trajner i Anderlechtit dhe pse dështoi aventura e tij në Greqi”, ka thënë Bujar Mehmeti, redaktor i Sportit në KTV. Ai zbulon edhe detaje të tjera lidhur me intervistën kryesore të “Sportit Total” të dielën.

“Hasi, që vjen nga Gjakova, gëzon popullaritet të madh në Kosovë e Shqipëri, për shkak të së kaluarës së tij, dhe deklaratat e tij gjithnjë zgjojnë interesim të madh, jo vetëm në vend”, ka thënë Mehmeti.

Një tjetër bisedë në “Sportin Total” këtë të diel, gazetarët e Sportit në KTV e kanë përgatitur me Enis Bardhin, futbollistin shqiptar që përfaqëson Maqedoninë e Veriut.

Për përballjen ndaj Kosovës, synimet dhe të ardhmen e tij në La Ligën spanjolle, Bardhi flet në një intervistë ekskluzive.

E gjithashtu sonte vjen edhe një bisedë me legjendën e futbollit kosovar, Ardian Koznikun.

“Sporti Total” transmetohet të dielën nga ora 22:15.