Sport

Avdijaj: Klauzola te Schalke është arsye pse çdo gjë e vogël po më kthehet kundër

Schalke, Sturm Graz, Roda JC, Willem II, Trabzonspor dhe Hearts, këto janë klubet në të cilat ka luajtur Donis Avdijaj deri më tash, ndonëse është vetëm 23-vjeçar.

Futbollisti ofensiv, që në Skoci me Heartsin ka një kontratë deri në fund të edicionin, në një intervistë për “Sport Bild” ka folur për gabimet e së kaluarës dhe për të ardhmen e tij sportive.

Te Schalke, klubi ku u zhvillua, Avdijaj në kontratën e tij kishte një klauzolë për lirim në vlerë 48 milionë euro, atëkohë një shifër shumë e lartë për një lojtar, që ende nuk ishte i rregullt në Bundesligë.

“Në atë kohë kjo shumë për një tinejxher ishte diçka e jashtëzakonshme. Sot ke përshtypjen se çdo futbollist që ka talent të madh kushton 50 milionë. Si i ri natyrisht se ndjehesh mirë dhe i nderuar, je shumë krenar. Kurrë nuk kam menduar, që ajo mund të bëhet arsye, pse çdo gjë e vogël do të kthehet kundër meje”, ka deklaruar Avdijaj.

Ai nuk ka menduar asnjëherë këtë, ndonëse e pranon se ka bërë disa gabime jashtë fushës së futbollit.

“Po të kisha vendosur ndryshe në rini dhe të kisha pranuar ndonjë nga ofertat që kisha nga top-klubet ndërkombëtare, atëherë do të shkonte ndryshe”, ka thënë Avdijaj.

Pas periudhës së huazimit te Sturm Grazi në Austri, ai thotë se në vitin 2016 nuk është dashur të kthehet te Schalke.

“Ndërrimi i trajnerëve në verën e vitit 2017 (kur Domenico Tedesco erdhi në vend të Markus Weinzierlit”, ishte totalisht e pafat për mua”, ka thënë Avdijaj.

Sulmuesi i talentuar i Kosovës zemërohet kur gjithmonë dëgjojë se ka rënë në aspektin sportiv.

“Në Holandë te Roda isha i preferuari i publikut”, thotë ai, e ai po ashtu thotë se ishte mirë edhe te Willem II e Trabzonspor.

Futbolli te klubi aktual Hearts e ka bërë më të fort fizikisht, thotë ai dhe synon të vazhdojë kontratën.

“Unë dua të vazhdojë kontratën time, por vetëm nëse mbetet edhe trajneri”, ka thënë ai.

Ish-trajneri i Hannoverit, Daniel Stendel është në krye të Heartsit që nga dhjetori i vitit 2019.

Sulmuesi anësor mund të paramendojë që në të ardhmen edhe të kthehet në Bundesligë te Schalke, te klubi ku nisi karrierën si profesionist.

“Kur e dashuron një skuadër, atëherë do ta dashurosh përgjithmonë. Schalke është si shtëpi për mua, është përgjithmonë në zemrën time. Nëse kam një apo dy stinorë të fortë dhe Schalke më kontakton dhe thotë se dëshiron të më transferojë, atëherë nuk do të refuzoja. Natyrisht se synimi im është që të luajë në një ligë të madhe. Dhe unë jam i sigurt, që pa problem do të mund të luaj në Bundesligë”, thotë Avdijaj.