Sport

Ekspertët ngjallin dyshime nëse mund të zhvillohen Lojërat Olimpike verën e ardhshme

Foto: Reuters

Organizimi i Lojërave Olimpike në Tokio, në korrik të vitit të ardhshëm, do të ishte shumë i rrezikshëm, ku do të kërkohej fleksibilitet nga organizatorët, veçanërisht nëse nuk del ndonjë vaksinë kundër koronavirusit të ri deri atëherë, thonë ekspertët mjekësorë, transmeton agjencia Reuters.

Japonia dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) morën vendim të paprecedentë muajin e kaluar për t’i shtyrë për një vit Lojërat Olimpike, ndërsa bota po lufton me virusin nga i cili janë infektuar rreth 2.5 milionë persona dhe kanë humbur jetën mbi 160 mijë.

Por, vazhdojnë dyshimet nëse Lojërat Olimpike mund të organizohen pas 15 muajve, pasi vaksina në rastin më të mirë të mundshëm, mund të vonojë së paku edhe një vit për të hyrë në përdorim.

“Kur flasim për të kthyer sportin në stadiume të mbushura, vërtet mendoj se duhet të presim për një vaksinë për ta bërë këtë”, ka thënë Zach Binney, një epidemiolog në Universitetin Emory në SHBA.

“Tokio 2020” është paraparë të mbahet nga 23 korriku deri më 8 gusht të vitit të ardhshëm, por organizatorët presin pak ndryshime nga plani fillestar, përfshirë edhe çështjen e tifozëve.

Por, mund të jetë tepër optimiste të pritet prania e tifozëve, thotë Binney, një specialist në aspektin e shëndetit të sportistëve.

“Çdo person që shton e rrit rrezikun”, thotë Binney, i cili pret që zhvillimi i një vaksine të vonojë një deri një vit e gjysmë. “Pra, kur të kesh 50 mijë, 70 mijë apo 100 mijë tifozë, kjo do të nënkuptonte një rrezik shumë të lartë pa një vaksinë”.

Lojërat Olimpike janë një ngjarje e rrezikshme, për shkak të rrezikut që paraqesin vizitorët nga zonat me shumë infeksione. E po ashtu ekziston mundësia që të kthehet edhe infeksioni në shtëpi.

Ndonëse më optimist se një vaksinë do të zbulohet brenda vitit, Jason Kindrachuk, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Manitobas në Kanada, ka thënë se mund të ketë shtyrje të mëtutjeshme të Lojërave, duke marrë parasysh se duhet kohë për t’u vaksinuar njerëzit.

“Dëshiron të vaksinosh njerëzit më herët sesa pak ditë para Lojërave Olimpike, në mënyrë që të ndërtojnë atë imunitet mbrojtës”, ka thënë Kindrachuk, që ka punuar në shpërthimet e Ebolas dhe SARS-it.

Dr. Kentaro Iwata, që bëri bujë ndërkombëtare për kritikat e tij ndaj Qeverisë japoneze pas një vizite në shkurt në anijen Diamond Princess të karantinuar me mijëra pasagjerë, ka shprehur pesimizmin për datën e re.

“Unë nuk besoj se Lojërat Olimpike do të mund të mbahen vitin e ardhshëm”, ka thënë virologu. “Japonia mund të jetë në gjendje të ketë nën kontroll sëmundjen deri verën e ardhshme, dhe shpresoj se do të ndodhë kjo, por nuk besoj se kjo do të ndodhë në të gjitha vendet e botës”.

Në reagim, Komiteti Organizativ i “Tokio 2020” ka thënë se po përqendrohet plotësisht në organizimin e ngjarjes së madhe vitin e ardhshëm.

“Misioni është ta përgatisim skenën për verën e ardhshme. Nuk ndiejmë se është e përshtatshme t’u përgjigjemi pyetjeve spekulative”, ka thënë zëdhënësi i “Tokio 2020”, Masa Takaya.

Edhe nëse vaksina nuk është e gatshme, organizatorët mund të jenë në gjendje t’i organizojnë Lojërat Olimpike, në rast se janë më fleksibilë dhe më mirë të përgatitur, ka shtuar Kindrachuk.

“Duhet mendim kreativ dhe shpresoj edhe gatishmëria nga publiku, që të kuptojë se thjesht nuk do të duket siç ishte më parë”, ka shtuar Kindrachuk.

Binney thotë se opsioni më i sigurt është që sportistët të arrijnë në Tokio katër deri në gjashtë javë më parë dhe të ndjekin maza rigoroze të izolimit për dy javë para se të futen në fshatin olimpik.

“Synimi im do të ishte që të kemi Fshatin Olimpik si zonë karantine pa viruse”, thotë Binney.