Sport

Para 40 vjetësh Liria fitoi titullin në edicionin e ndërprerë

Futbollistët e Lirisë së Prizrenit kishin dalë në fushë. Po e prisnin kundërshtarin për t’u paraqitur në stadiumin e qytetit të Gjilanit për ta zhvilluar ndeshjen përcaktuese për titull të kampionit. Për kundërshtar, skuadra nga Prizreni e kishte Buduqnostin e Pejës.

Këta të fundit kishin refuzuar të udhëtonin dhe me vendimet e pushtetit të atëhershëm, kampionati ishte ndërprerë që në fillim të stinorit pranveror, dhe me dekret kampione u shpall Liria. E gjithë kjo histori i përket edicionit 1980/81, ku atëbotë ishte ndërprerë kampionati shkaku i demonstratave gjithëpopullore të shqiptarëve.

Pjesë e kësaj gjenerate para 40 vjetësh të klubit Liria, që doli kampione, pa u mbyllur edicioni, shkaku i situatës së atëhershme, ishte edhe Skënder Shengyli, që tashmë është trajner i këtij ekipi.

Edhe pse kishte pikë më pak në tabelë se Buduqnosti, Lirisë i ishte dhënë titulli, që është një nga pesë titujt e fituar që nga viti 1946, duke iu referuar një historiku, kur edhe është themeluar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Shengyli tregon se atëbotë ishin bërë gati për ta zhvilluar ndeshjen përcaktuese për titull kundër Buduqnostit.

“Kemi qenë katër apo pesë ditë në karantinë në Dragash. Ka qenë kohë demonstratash dhe u vendos që të ndërpritej kampionati. Ne ishim në vend të dytë, por nuk më kujtohet se sa pikë ishte larg nesh Buduqnosti. Por, federata e atëhershme mori vendim që të zhvillohej një ndeshje përcaktuese për titull të kampionit. Ndeshja ishte caktuar të zhvillohej në Gjilan. Ne dolëm në fushë, derisa bashkë me shikuesit prisnim të paraqitej edhe skuadra e Buduqnostit. Por, ata nuk pranuan të luanin atë ndeshje dhe ne u shpallëm kampion”, ka thënë Shengyli, që si lojtar pjesë e Lirisë ka qenë prej vitit 1979 deri në vitin 1983.

Pjesë e asaj gjenerate ishin: Shukri Gorani, Sokol Hadri, Aziz Llopari, Hilmi Bellanica, Ilir Rogova, Nevzat Shinik, Skender Shengyli, Hamit Shishko, Hajret Zurnagjiu, Enver Palla, Sami Ahmeti, Shemsidin Ajeti, Rexhep Gaxholli, Nagji Gashi dhe Tahir Pirolli.

Liria kampione ka dalë gjithashtu edhe në edicionet: 1974/75, 1983/84, 1986/87 e 1994/1995...(gjerësisht në Kohën Ditore)