Sport

Kanë mbaruar ditët e transferimeve 100 milionëshe

Ditët e transferimeve 100 milionëshe në futbollin spanjoll kanë mbaruar, ndërsa klubet duhet të mësohen me ndikimin ekonomik të pandemisë COVID-19, shkruajnë mediumet spanjolle, transmeton Koha.net.

Klubet janë në dijeni se financat do të tkurren pas kufizimeve të shumta shkaku i koronavirusit.

Shpërthimi i koronavirusit ka ndaluar sportin nëpër botë, ndërsa futbolli në Spanjë është pezulluar në afat të pacaktuar. Kjo nënkupton se klubet nuk do të kenë të hyra nga biletat, nga shitjet e suvenirëve apo edhe nga vizitat nëpër muzetë e tyre.

Spanja është vetëm prapa Italisë sa i përket numrit të vdekjeve me koronavirus.

Real Madridi ka planifikuar të transferojë në verë Paul Pogban e Manchester Unitedit dhe Kylian Mbappen e Paris Saint-Germainit, por pranon se do të jetë e pamundur për shkak të ndikimit ekonomik që ka pasur pandemia në sportin.

Shumë klube kanë arritur marrëveshje me lojtarët për t’iu reduktuar pagat.

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu në një intervistë për “Diario Sport” këtë javë ka thënë: “Ne parashikojmë se ky afat kalimtar do të ketë shumë më pak para për shkak të pandemisë, por prapë do të ketë shumë lëvizje dhe parashikoj se do të ketë shkëmbime të lojtarëve”.