Kreu i skuadrës së Red Bullit në Formula 1, Helmut Marko ka treguar se i ka këshilluar pilotët që të infektohen me koronavirus derisa stinori të jetë i pezulluar, shkruan BBC, transmeton Koha.net.
Marko 76-vjeçar ka thënë se kishte idenë që të bënte bashkë pilotët e Formula 1 dhe ata të rinj së bashku në një kamp, që do të ishte kohë ideale për t’u infektuar.
“Ata janë të gjithë të rinj të fortë në shëndet të mirë. Në atë mënyrë ata do të ishin të gatshëm kurdo që të niste aksioni”, ka thënë Marko.
Pjesa tjetër e menaxhmentit të Red Bullit ishte kundër idesë, për këtë arsye edhe nuk u aplikua ideja.
“Të themi se nuk u pranua në mënyrë të mirë”, ka thënë Marko.
Austriaku duke folur në një intervistë për televizionin austriak ORF, ka shtuar: “Ne kemi katër pilotë të Formula 1 dhe tetë apo dhjetë juniorë dhe ideja ishte të organizonim një kamp”.
Kampi, ka thënë ai, do të ishte organizuar për të siguruar që pilotët të jenë në gjendjen më të mirë fizike kur stinori të fillojë.
Fillimi i stinorit të Formula 1 është shtyrë pasi tetë garat e para janë shtyrë shkaku i koronavirusit. Po ashtu në rrezik janë edhe garat në Kanada, Francë, Austri e Britani, të parapara të mbahen në periudhën qershor-korrik.
Stinori i Formula 1 po pritet të vazhdojë deri në janar.
Marko më herët kishte treguar se si i ka thënë Max Verstappenit të infektohet me koronavirus.
Vet austriaku thotë se ka dyshuar se ishte infektuar me koronavirus në shkurt, por pasi nuk ishte testuar nuk mund të jetë i sigurt.
“Kisha simptome të ngjashme me koronan. Ishte po ashtu diçka që kurrë nuk kam pasur në këtë intensitet. Por, nuk e di sigurt pasi opsionet për testim janë të limituara. Por, nëse ofrohet mundësia, dua të testohem më vonë”, ka thënë Marko.
Ai ka thënë se Red Bulli do të kontribuojë në angazhimin e gjerë të skuadrave të Formula 1 me seli në Britani për të prodhuar respirator.