Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi ka njoftuar në rrjete sociale se është arritur pajtimi që të reduktohet paga e lojtarëve dhe stafit të trajnerëve për 70 për qind.
Pas disa ditëve negociata mes krerëve të klubit dhe lojtarëve të skuadrës së parë, Messi ka njoftuar në komunikatë se është arritur marrëveshja. Shumë klube janë në vështirësi financiare pas pezullimit të futbollit shkaku i koronavirusit.
Ai ka dashur të qartësojë disa gjëra dhe po ashtu ka shpjeguar, se pos uljes së pagës prej 70 për qind, stafi do të bëjë kontribut që pjesa e tjetër e punëtorëve të marrin pagën e plotë.
“Shumë është shkruar dhe është thënë për lojtarët e parë të FC Barcelonës sa i përket pagave të lojtarëve gjatë kësaj periudhe. Së pari, ne duam të qartësojmë se vullneti ynë gjithmonë ka qenë të pranojmë uljen e pagës, pasi ne e kuptojmë plotësisht situatën e jashtëzakonshme dhe jemi të partë që gjithmonë kemi ndihmuar klubin kur ka pasur nevojë. Shumë herë e kemi bërë me iniciativë tonë, kur e kemi parë se është e rëndësishme. Për këtë arsye, ka qenë befasuese që nga brenda klubit ka pasur të tillë që kanë dashur të na vënë nën xhamin zmadhues dhe tentuan të shtojnë presionin për të bërë diçka që gjithmonë e dinim se do të bënim. Në fakt, nëse marrëveshja është vonuar për disa ditë, atëherë thjeshtë pasi kemi shikuar për një formulë për të ndihmuar klubin dhe punëtorët në këto kohë të vështira”, është shkruar në komunikatë. "Pos 70 % reduktim gjatë kësaj periudhe të emergjencës, ne do të bëjmë kontribut që punëtorët e klubit të marrin pagën e plotë gjatë kësaj periudhe.
Komunikata e Lionel Messit është postuar edhe nga disa lojtarë tjerë në rrjetet sociale.
Barcelona para pak ditëve ka njoftuar se do të shfrytëzojë opsionin për të reduktuar pagën e lojtarëve, pas vështirësive ekonomike të krijuara nga koronavirusi. Reduktimi prej 70 për qind do të jetë për periudhën gjatë të cilës janë pezulluar ndeshjet.
Në komunikatë të hënën, Barcelona ka njoftuar se gjithë lojtarëve e skuadrave sportive janë pajtuar për reduktim të pagave dhe ka konfirmuar se lojtarët e skuadrës së parë kanë vendosur të bëjnë sakrificë shtesë për të ndihmuar punëtorët.
“Klubi dëshiron të shpreh mirënjohjen për sportistët profesionistë gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme”, është thënë në komunikatë të klubit kampion të Spanjës.