Sport

Stërvitjet e Muriqit në shtëpi

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi ka folur për sajtin e Fenerbahçes lidhur me situatën e krijuar nga përhapja e koronavirusit.

Muriqi po kalon ditët në shtëpi, por nuk ka ndërprerë stërvitjet. Në Turqi në ditët e fundit është rritur numri i të prekurve nga koronavirusi. Në këtë vend kampionati i futbollit është luajtur deri vonë.

Ndër të prekurit është edhe trajneri i njohur Fatih Terim. Muriqi i ka dëshiruar shërim të shpejtë Terimit. Ai ka treguar se në shtëpi i ka të gjitha pajisjes e nevojshme për të stërvitur.

“Puna jonë po bëhet në shtëpi falë klubit tonë. Pajisjet tona janë të nivelit të lartë, ndonëse jemi në shtëpi. Dua të falënderoj klubin dhe sponsorët tanë për këtë. Na kanë dhënë pajisje të njëjta. Ndonëse në shtëpi, ne bëjmë punë ‘online’ dhe me të gjitha elementet. Për këtë puna vazhdon në shtëpi. Është pak vështirë natyrisht. Shpresoj që të kalojmë këtë sa më shpejtë dhe të kthehemi në qendrën stërvitore”, ka thënë Muriqi, raporton Koha.net.

Ai ka kërkuar që të zbatohen këshillat për të kaluar më lehtë koronavirusin.

“Përfundimisht duhet t’i dëgjojmë këshillat e përgjegjësve. Shteti ynë ka marrë të gjitha masat. Nuk duhet të largohemi nga shtëpitë tona. Kjo duhet të jetë prioritet. Është gjendje emergjente dhe duhet t’i ndjekim rregullat. Duhet të kemi kujdes në higjienë. Sistemi ynë i imunitetit po ashtu duhet të jetë i fortë”, ka thënë Muriqi.