Sport

Kampionia jonë olimpike mirëpret shtyrjen e “Tokio 2020”

Foto: IJF

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, ka mirëpritur vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të shtyrë Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Vendimi për shtyrje u mor të martën, ndërsa Lojërat nuk do të mbahen këtë verë për shkak të përhapjes së koronavirusit. Lojërat Olimpike do të mbahen më së largu në verën e vitit 2021.

Xhudistja Majlinda Kelmendi po vazhdon stërvitjet në sallën e klubit “Ippon” në Pejë, ku është e izoluar së bashku me pjesën tjetër të ekipit elitar të Kosovës në xhudo. Majlinda ka pasur telashe me lëndime dhe shtyrja pritet t’i shërbejë për të arritur formën më të mirë, raporton Koha.net.

Majlinda ka fituar medaljen e artë në Lojërat e kaluara Olimpike, Rio 2016.

“Për shkak të problemeve të shumta me lëndime, në një mënyrë po ndjehem më mirë që janë shtyrë Lojërat Olimpike. Besoj se tani do të ketë kohë të mjaftueshme që të gjitha gjërat të vijnë në vendin e vet”, ka thënë Majlinda Kelmendi për Koha.net.

Ajo pritet të jetë pjesë e ekipit prej të paktën pesë xhudistëve kosovarë që do të garojnë në “Tokio 2020”.

“Plani i stërvitjeve natyrisht që ndryshon. Të shohim si do të rrjedhin gjërat. Kam pritur të ketë shtyrje, por jo për një vit. Shpresoj që pandemia që ka prekur botën të kalojë shpejtë dhe që të kthehemi në normalitet. Ne po e vazhdojmë punën dhe po shpresojmë për kthim sa më të shpejtë në gara”, ka theksuar Majlinda Kelmendi.