15:28

UEFA konfirmon shtyrjen e Evropianit

UEFA ka konfirmuar shtyrjen e Kampionatit Evropian të futbollit për një vit, shkaku i krizës së krijuar nga koronavirusi.

UEFA në komunikatë ka njoftuar se turneu do të mbahet nga 11 qershori deri më 11 korrik vitin e ardhshëm. Ishte paraparë të mbahej nga 12 qershori deri më 12 korrik të këtij viti.

UEFA po ashtu ka njoftuar se ndeshjet e plejofit për Evropian, përfshirë edhe ajo mes Maqedonisë së Veriut e Kosovës, janë shtyrë për qershor të këtij viti. E gjitha garat e UEFA-s dhe ndeshjet janë pezulluar deri në një njoftim tjetër ka thënë UEFA.

Është caktuar një grup punues me pjesëmarrës të ligave dhe klubeve për të ekzaminuar opsionet në kalendar në mënyrë që të përfundohet stinori aktual. UEFA ka thënë se vendimi do të ndihmojë që kampionatet vendore të kompletohen. Vendimet për garat tjera të UEFA-s, është thënë se do të merren në një të ardhme të afërt.


Raportohet se finalja e Ligës së Kampionëve do të luhet më 27 qershor e ajo e Ligës së Evropës më 24 qershor.

“Ne jemi në krye të një sporti me të cilin jetojnë dhe frymojnë shumica e njerëzve, e që është goditur nga një kundërshtar i padukshëm e që po lëviz shpejt. Është në kohë si këto, që komuniteti i futbollit duhet të tregojë përgjegjësi, unitet, solidaritet dhe altruizëm. Shëndeti i tifozëve, stafit dhe lojtarëve duhet të jetë prioritet i yni dhe në atë shpirt, UEFA ka dhënë një numër të opsioneve në mënyrë që garat të mund të përfundohen sigurt dhe jam krenar me reagimin e kolegëve të mi nëpër futbollin evropian”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin. “Kishte një shpirt të vërtetë të bashkëpunimit, ku të gjithë kuptuan se duhet të sakrifikojnë diçka në mënyrë që të arrihet rezultati më i mirë. Ishte me rëndësi që UEFA të udhëhiqte procesin dhe bëri sakrificën më të madhe. Lëvizja e Euro 2020 vjen me një kosto të madhe për UEFA-n, por do të bëjmë më të mirën që të sigurohemi se financat jetësore për futboll të femrave dhe zhvillim të lojës në 55 shtetet anëtarë të mos preken. Qëllimi para përfitimit ka qenë parimi ynë kur morëm këtë vendim për të mirën e gjithë futbollit evropian”.

Çeferin ka falënderuar Konfederatën e Futbollit të Amerikës së Jugut që ka marrë vendim të shtyjë Copa American për në vitin 2021.

13:29

UEFA shtyn Evropianin për një vit

UEFA ka marrë vendim për të shtyrë Kampionatin Evropianin për një vit.

Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit të Norvegjisë në Twitter.

“UEFA ka vendosur që Kampionati Evropian të shtyhet në vitin 2021. Ai do të luhet nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit të ardhshëm. Më shumë informacione do të vijojnë”, është thënë nga federata.

Po ashtu edhe Federata e Futbollit të Suedisë ka konfirmuar vendimin për shtyrjen e Evropianit. 

Evropiani ishte paraparë të mbahet nga 12 qershori deri më 12 korrik të këtij viti në 12 shtete, por për shkak të rrëmujës së krijuar nga koronavirusi do të shtyhet. 

Raportohet se vendimi është marrë për të lënë hapsirë për përfundim të kampionateve. Kampionatet duhet përfunduar deri në fund të qershorit. 

Po ashtu "Globoesporte" ka njoftuar se pritet të shtyhet për vitin 2021 edhe Copa America.