Sport

Donald Trump sugjeron që të shtyhet Olimpiada e Tokios

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të enjten që përgjegjësit duhet të konsiderojnë shtyrjen e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” për një vit, për shkak të përhapjes globale të koronavirusit.

Trump ka thënë se ngjarja nuk do të ishte e njëjtë nëse mbahet pa shikues.

SHBA-ja është njëra prej pjesëmarrëseve më të mëdha në Lojërat Olimpike. Olimpiada në Tokio është paraparë të mbahet prej 24 korrikut deri më 9 gusht.

“Ndoshta ata duhet ta shtyjnë për një vit”, ka thënë Trump. “Ndoshta kjo nuk është e mundshme. Besoj se nuk ka ndodhur kurrë me Lojërat Olimpike”.

Sipas presidentit amerikan, do të ishte shumë keq që koronavirusi të ndikonte në Olimpiadë. Trump ka shtuar se prej asaj që ka parë, Japonia po bënë punë të shkëlqyeshme për t’u përgatitur si duhet për ngjarjen e madhe.

“Por më mirë të shtyhet ngjarja për një vit se të kemi stadiume të zbrazta”, ka thënë Donald Trump.