Sport

Platini humb apelin në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut

Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka humbur apelin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut kundër suspendimit të tij katërvjeçar nga futbolli, shkruan agjencia Reuters të enjten, transmeton Koha.net.

Gjykata ka njoftuar të enjten se paneli prej shtatë anëtarëve ka hedhur poshtë apelin e Platinit kundër vendimit të marrë nga FIFA për të në vitin 2015. Gjykata ka insistuar se të drejtat e njeriut nuk janë shkelur në atë rast.

“Duke e marrë parasysh seriozitetin e shkeljes, pozitën e lartë që kishte Platini në trupat udhëheqës dhe nevoja për të rikthyer reputacionin e sportit dhe FIFA-s, dënimi nuk ka qenë i ekzagjeruar apo arbitrar”, është thënë në komunikatë të gjykatës.

Platini ishte pezulluar për tetë vjet nga FIFA, së bashku me ish-presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter. Të dy mohuan se kanë bërë shkelje.

Dënimi erdhi shkaku i një pagese prej dy milionë franga zvicerane që Platini kishte marrë nga FIFA në vitin 2011 me lejen e Blatterit. Ishte thënë se pagesa është bërë për një punë që Platini ka kryer një dekadë më herët.

Pezullimi i Platinit u zvogëlua në katër vjet pas apelit në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS).