Sport

Munishi: Nuk jemi nën presion, po e shijojmë momentin

Foto: FC Ballkani

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi ka insistuar se skuadra e tij nuk është nën presion për të fituar titullin e kampionit të Kosovës në futboll.

Ballkani mposhti Dritën të mërkurën me rezultatin 2:0, në ndeshjen e xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Blendi Baftiu (75’) dhe Edvin Kuç (82’) shënua golat për Ballkanin.

“Ishte një ndeshje e mirë dhe referimi ishte i mirë. E dinim rëndësinë e ndeshjes dhe kemi vrapuar shumë për të arritur këtë fitore. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Skuadrat tjera kanë vështirësi të përballojnë tempin tonë dhe kjo u pa sot”, ka deklaruar Munishi për “SSK”, transmeton Koha.net. “Po e shijojmë momentin dhe nuk po mendojmë për gjëra tjera. Do të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Nuk jemi nën presion”.

Ballkani pas 21 ndeshjeve kryeson me 44 pikë, tre më tepër se Gjilani që zë vendin e dytë. Drita gjendet në pozitën e tretë me 40 pikë.

“Po e shohim një kampionat të fortë, ka ende shumë ndeshje deri në fund. Ne duhet të luftojmë për t’i rikuperuar pikët e humbura. Ka shumë pikë deri në fund dhe pjesa e tretë e kampionatit mund të ndryshojë shumëçka”, ka thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu. “Duhet të harrojmë këtë humbje sa më parë dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës. Ende nuk ka mbaruar gara. Ishte vetëm një pengesë në rrugëtimin tonë të gjatë drejt objektivave që kemi”.

Image