Sport

Munishi: Të gjithë e kanë ëndërr ta mposhtin Ballkanin

Nuk i frikësohemi Prishtinës dhe do të shkojmë në stadiumin "Fadil Vokrri" për të marrë rezultatin më pozitiv të mundshëm.

Kështu janë shprehur në konferencën për shtyp, një ditë para lojës me Prishtinën, trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, me futbollistët Visar Berisha, Blend Baftiu dhe Arbër Hoxha, raporton Sporti në KTV.

Trajneri Munishi, pas shortit të Kupës së Kosovës, deklaroi se të gjitha klubet ëndërrojnë të luajnë kundër Ballkanit. Edhe të premten në mbrëmje e mbajti të njëjtin qëndrim.

Trajneri Munishi nënvizoi se duhet të merren të gjitha masat për organizim të mirëfilltë. Sa i përket duelit që do të zhvillohet të shtunën në ora 17:00, tekniku i suharekasve tregoi respekt për Prishtinën, por nuk e la pa e përmendur forcën që ekipi i tij e posedon. Por, ai nuk do ta ketë mbrojtësin Besnik Krasniqi që është i suspenduar për shkak të kartonëve, por mund të llogarisë në rikthimin e sulmuesit Mirlind Daku.

I matur në deklarata para lojës ka qenë edhe qendërmbrojtësi dhe kapiteni Visar Berisha, i cili tregoi për synimet që Ballkani i ka sivjet.

Ndërkohë, dyshja e rrezikshme që dikur përfaqësonte ngjyrat e ekipit nga kryeqyteti, Blend Baftiu dhe Arbër Hoxha, deklaruan se nuk kanë kurrfarë presioni dhe do të hyjnë me synimin e vetëm, marrjen e një rezultati pozitiv.

Ekipi nga Suhareka, Ballkani, në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, pritet ta ketë edhe një numër të madh të tifozëve "Xhebrailat", që, sipas futbollistëve, trajnerit dhe zyrtarëve të ekipit, do të jenë lojtari i 12-të në stadium.