Sport

Derbi i basketbollit luhet në Suharekë

Golden Eagle Ylli – Peja pritet të jetë ndeshja më interesante e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshjet e javës së 26-të luhen të shtunën e të dielën.

Skuadrat kthehen në garën për titull pas pushimit prej tri javësh, për shkak të turneut final të Kupës dhe ndeshjeve të përfaqësueses.

Ylli e Peja ishin takuar në finale të Kupës së Kosovës, ndërsa fitore shënoi skuadra pejane. Tani suharekasit do të kërkojnë të revanshohen në kuadër të Superligës.

Ndeshja Golden Eagle Ylli – Peja luhet të dielën nga ora 17:00 në Suharekë. Ylli është i treti me 38 pikë, ndërsa Peja e pesta me 35 pikë.

Java e 26-të hapet në Mitrovicë me ndeshjen Trepça – Feronikeli. Ky takim është të shtunën nga ora 17:00. Prej orës 19:00, të shtunën, është takimi Bashkimi – Sigal Prishtina. Ndërkohë Rahoveci e Ponte Prizreni takohen të dielën nga ora 19:00 në takimin e fundit të javës.