Maskat, dorëzat dhe imunologët – si po e godet koronavirusi futbollin italian Foto: Reuters

Maskat, dorëzat dhe imunologët – si po e godet koronavirusi futbollin italian

28 February 2020 08:58

Lionel Messi bëri paraqitjen e tij të parë ndonjëherë në Napoli të martën mbrëma, duke luajtur në barazimin e Barcelonës 1:1 kundër ekipit italian në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Por, më e habitshme se prania e yllit argjentinas në një stadium ku bashkëkombësi i tij, Diego Maradona është legjendë, ishte prania e tifozëve në tribuna me maska dhe dorëza – masat paraprake kundër koronavirusit. Mbi 300 persona janë të infektuar në Itali, prej të cilëve 12 kanë vdekur. Karnavali i Venecias tashmë është anuluar, kurse teatri “La Scala” është mbyllur për shkak të rrezikut nga koronavirusi. Gjithashtu, edhe bursa në Milano ka pësuar rënie.

E gjithë kjo po paraqet pasoja jo vetëm për futbollin italian, por për tërë sportin e këtij vendi.

Vikendin e kaluar, katër ndeshje në kuadër të Serie A, në Milano, Bergamo, Verona dhe Torino, janë anuluar derisa edhe një tjetër në Serie B nuk është zhvilluar në Ascoli për shkak të frikës nga koronavirusi.

Këtë fundjavë, masat e sigurisë do të jenë edhe më të rrepta. Një dekret i ri nga Qeveria italiane, që do të zbatohet në gjashtë rajone, do të thotë që të gjitha ndeshjet e Serie A që zhvillohen në ato territore, do të luhen pas dyerve të mbyllura. Ndërkohë ndeshjet e kategorisë së tretë janë pezulluar, sikurse edhe ligat e ragbit, volejbollit dhe basketbollit.

Konsensusi midis tifozëve, të cilët e shohin futbollin e ditës së diel si një aktivitet të rëndësishëm shoqëror, është se ata do të vazhdojnë të shkojnë në ndeshje nëse u thuhet se është e sigurt, por shumë prej tyre pritet të veshin maska dhe dorëza. Efekti i koronavirusit ishte i pranishëm edhe të enjten mbrëma në ndeshjen e luajtur në Milano ndërmjet Interit dhe Ludogoretsit në Ligën e Kampionëve. Kjo ndeshje u luajt pas dyerve të mbyllura. Madje, futbollistët e skuadrës bullgare dolën nga autobusi me maska dhe dorëza plastike. Për udhëtimin në Itali, klubi bullgar kishte angazhuar edhe imunolog për shkak të frikës nga koronavirusi, që tashmë ka shpërthyer edhe në Itali.

Dy ekipet e qytetit të Milanos, Interi dhe Milani, tashmë kanë mbyllur zyrat dhe stafi po punon nga shtëpia. Ndërkohë disa klube kanë shprehur shqetësime ekonomike për faktin se do të duhet që ndeshjet e këtij vikendi t’i luajnë me dyer të mbyllura të stadiumit. Pa praninë e tifozëve në tribuna, do të thotë se klubet nuk do të kenë përfitime ekonomike prej shitjes së biletave.

Për shembull, Juventusi në çdo ndeshje që e ka luajtur në “Allianz Stadium” i ka pasur tribunat e stadiumet të stërmbushura. Në fakt, klubet nuk janë detyruar t’i zhvillojnë ndeshjet pa tifozë, pasi ka pasur edhe opsione të tjera në tavolinë.

“Skuadrat kanë mundur t’i pezullojnë ndeshjet dhe t’i shtyjnë më vonë. Kështu që ne nuk i kemi detyruar të luajnë”, ka shtuar ministri i Sportit në Itali, Vicenzo Spadafora, shkruan Koha Ditore.

Disa prej skuadrave tashmë kanë vendosur t’i rimbursojnë tifozët për biletat që i kanë blerë më herët dhe këtë veprim tashmë e ka ndërmarrë Interi për ndeshjen e kthimit të 1/16 së finales kundër Ludogoretsit. Për dallim prej Interit, Juventusi zyrtarisht nuk do t’i rimbursojë tifozët për ndeshjen derbi që e luan në shtëpi të dielën mbrëma me Interin. Herën e fundit, kur këto dy skuadra luajtën në “Allianz Stadium”, Juventusi përfitoi 3.1 milionë euro nga shitja e biletave. Edhe ky derbi do të luhet me dyer të mbyllura.

“Nëse situata përshkallëzon nuk do të ishte keq që Serie A të pezullohet plotësisht”, ka thënë ish-mjeku i Përfaqësueses së Italisë, Enrico Castellazi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme