Sport

Japonia do të pezullojë gjitha ngjarjet sportive për dy javë

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka bërë thirrje që të pezullohen gjitha ngjarjet sportive në dy javët e ardhshme, në tentim për të ndaluar përhapjen e koronavirusit para Lojërave Olimpike këtë verë.

Të martën, zyrtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Dick Pound ka paralajmëruar se Lojërat Olimpike “Tokio 2020” mund të anulohen, nëse virusi ende është prezentë në maj.

Qeveria e Japonisë ka insistuar se ai koment i Poundit, nuk është qëndrim zyrtar i IOC-së.

Por, kryeministri i Japonisë, Abe ka thënë se është shumë me rëndësi ndalja e përhapjes në dy javët e ardhshme.

“Duke marrë parasysh se dy javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme në ndalimin e përhapjes së infeksionit, qeveria konsideron se se ka rrezik të madh të transmetimit në sporte, në ngjarje kulturore dhe në tubime në masë”, ka thënë Abe, bëjnë të ditur mediumet e huaja, transmeton Koha.net.

Pas thirrjes së Abes, liga kryesore e bejzbollit në Japoni ka njoftuar se 72 ndeshjet e mbetura para-sezonale do të luhen pa shikues, ndërsa stinori i rregullt është paraparë të nisë më 20 mars.

Top Liga e ragbit ka shtyrë 16 ndeshjet përgjatë dy javëve të ardhshme, ndërsa J-League e Japonisë në futboll ka pezulluar gjitha ndeshjet deri më 15 mars. Gjitha meçet e boksit në Japoni muajin e ardhshëm janë anuluar.

Javën e kaluar, është njoftuar se maratona e Tokios, që është paraparë të mbahet këtë të dielë, është anuluar. Organizatorët e “Tokio 2020”, ndërkohë kanë pezulluar ushtrimet për vullnetarët për Lojërat Olimpike.