Sport

Kthimi i madh i Tyson Furyt nisi me meçin ndaj Seferit

Me fitoren impresive ndaj Deontay Wilderit, boksieri britanik Tyson Fury ka kompletuar kthimin e jashtëzakonshëm në ring. Tri ditë më parë Fury mposhti Wilderin në Las Vegas dhe fitoi titullin e kampionit të botës në versionin WBC, në kategorinë e rëndë të boksit profesionist.

Fury 31-vjeçar ka pasur një shkëputje të gjatë nga boksi. Pasi kishte mposhtur Wladimir Klitschkon më 28 nëntor të vitit 2015 për titujt e botës në kategorinë e rëndë, Fury nuk kishte boksuar deri më 9 qershor të vitit 2018. Kthimin në ring e kishte bërë në një meç me boksierin shqiptar, Sefer Seferi.

Ashtu si pritej, Fury e fitoi duelin me Seferin dhe nisi rrugëtimin drejt kthimit në majë të boksit profesionist.

Përballja me yllin e boksit mbetet momenti më i madh në karrierën e Sefer Seferit. Ai kishte dorëzuar meçin me Furyn, por flet me krenari për atë përvojë.

Fitorja e Furyt ndaj Wilderit nuk ka befasuar Seferin, që bënë karrierë në Zvicër.

“E kam pritur këtë kthim të shpejtë të Furyt në nivelin më të lartë. Rikthimi i tij ishte me shumë seriozitet. Ishte i vendosur që brenda një kohe të shkurtër të kthehej prapë aty kur e kishte lënë, si kampion”, ka thënë Sefer Seferi të martën për Koha.net.

Sefer Seferi 40-vjeçar, në profesionizëm ka 24 fitore e tri humbje. Është me prejardhje nga Gostifari. Seferi është vëllau i Nuri Seferit, boksierit tjetër të njohur shqiptar.

Pas fitores së Furyt ndaj Wilderit, po diskutohet shumë për një meç të tij me Anthony Joshuan për unifikim të titujve të botës në kategorinë e rëndë. Joshua mbanë titujt tjerë të botës.

“Besoj që unifikimi i të gjithë titujve do të ndodhë mes Furyt dhe Joshuas. Ky është qëllimi i të dy boksierëve”, thotë Sefer Seferi, transmeton Koha.net. Ai ka boksuar së fundi më 30 nëntor të vitit të kaluar kur fitoi ndaj Laszlo Ivanyit.

Seferi nuk është i bindur që Fury do të unifikojë titujt, duke pasur parasysh edhe nivelin e Joshuas. Thotë se në meçe të tilla befasitë ndodhin.

I pyetur se çka e dallon Furyn nga boksierët tjerë, bazuar në përvojën e tij, Seferi përgjigjet: “Është boksier i kompletuar”.

Fury ka 30 fitore e një barazim në boksin profesionist. Ka barazuar ndaj Wilderit në meçin e parë me të, më 1 dhjetor të vitit 2018. Pas meçit me Seferin, Fury mposhti Francesco Pianetan, barazoi me Wilderin, ndërsa mposhti edhe Tom Schwarzin dhe Otto Wallinin.

Pas fitores historike ndaj Klitschkos në nëntor të vitit 2015, Fury pati telashe të ndryshme. Ai shtoi shumë peshë, ndërsa u deklarua se ka humbur motivin për të boksuar. Pati telashe edhe me doping, ndërsa kishte raporte për probleme të tij edhe me shëndetin mental. Ndërkohë mbeti pa titujt e botës.

Në vitin 2018, Fury njoftoi se do të kthehej në boks, ndërsa ishte vlerësuar befasi që do të fillonte kthimin ndaj Seferit, boksierit që karrierën kryesisht e ka zhvilluar në kategorinë kruzer. Seferi ka kujtime të mira nga meçi me legjendën e ringut.

“Jam shumë krenar që me punën time të palodhshme dhe aftësitë që kam, arrita të luftojë me boksierin më të mirë të botës. Gjithsesi edhe humbja është pjesë e luftës”, ka thënë Seferi. Ai ka treguar se si erdhi te përballja me Furyn.

“Promotori im ka qenë gjatë gjithë kohës në bisedime. Isha boksieri favorit për të sfiduar Furyn. Që nga fillimi i karrierës kam pasur këtë dëshirë, që të boksojë me më të mirin. Ëndrra ime u bë realitet”.

Image