Sport

Hajrizi falënderon “Dardanët” për përkrahjen e madhe

Basketbollisti mitrovicas Drilon Hajrizi ka qenë më meritori të dielën në fitoren e rëndësishme që Kosova e arriti në udhëtim ndaj Luksemburgut.

Kosova triumfoi 84:80 në ndeshjen e dytë të Grupit B të parakualifikimeve për Botërorin 2023 të basketbollit. Hajrizi shënoi 25 pikë dhe pati edhe shtatë kërcime. Kosova të enjten triumfoi edhe në shtëpi ndaj Islandës me 80:78. Edhe ndaj Islandës, Hajrizi pati efikasitetin më të madh, duke shënuar 16 pikë, e shtuar tetë kërcime e gjashtë asistime.

“Dua të falënderoj ‘Dardanët’. Ata ishin fantastik, si në Prishtinë ashtu edhe në Luksemburg. Ishin lojtari ynë i gjashtë. Ne i kontrolluam me shumë sukses të dyja ndeshjet dhe mendoj se i kemi fituar me meritë. Mendoj se Kosova është rritur fal angazhimit të gjithë lojtarëve dhe punës që ka bërë stafi teknik. Shpresoj që të vazhdojmë njësoj dhe ta dërgojmë Kosovën sa më lartë, duke arritur në një nivel me kombëtaret me traditë në basketboll", ka deklaruar Hajrizi për Koha.net.  

Kosova kryeson Grupin B me katër pikë pas dy ndeshjeve. Dy ndeshjet e radhës i luan si mysafire kundër Sllovakisë e Islandës. Me Sllovakinë luan më 26 nëntor, ndërsa me Islandën 29 nëntor.

Parakualifikimet i përfundon me dy ndeshje në shtëpi në shkurt të vitit të ardhshëm. Ballafaqohet me Luksemburgun më 18 shkurt dhe Sllovakinë më 21 shkurt.

Dy të parat kalojnë në raundin e ardhshëm të eliminatoreve.

"Së pari shpresoj të kalojmë parakualifikimet, pastaj mund të flasim për synime tjera”, ka shtuar Hajrizi.