Sport

Mustafi nuk u dorëzua përballë vështirësive që i kishte tek Arsenali

Descriptive Text

Shkodran Mustafi thotë se kurrë nuk e ka pasur ndjenjën që karriera e tij te Arsenali kishte mbaruar, pavarësisht një fillimi të vështirë që e pati këtë edicion, ku nuk kishte fare hapësira deri fund të muajit nëntor të vitit të shkuar, kur u largua trajneri Unai Emery.

Rehabilitimi i qendërmbrojtësit pa dyshim se është një histori e pamundur suksesi për revolucionin që e ka bërë te Arsenali trajneri i ri Mikel Arteta, që është vërejtur në javët e fundit. Mustafi ka qenë titullar në gjashtë ndeshjet e fundit të Arsenalit, në të gjitha garat dhe tashmë ka krijuar një partneritet të fortë me David Luizin për të ndihmuar ekipin që të mos pranojë gol në tri ndeshje rresht. Më herët Mustafi i kishte të kufizuara paraqitjet dhe kritikohej shumë nga tifozët, gjë që detyroi Arsenalin të bëjë përpjekje për ta larguar. Por, tani Mustafi po përgëzohet nga tifozët e klubit për paraqitjet e tij të mira dhe kjo ka ndikuar që ai të shprehë gatishmërinë për të mbetur te Arsenali edhe pas përfundimit të këtij edicioni, transmeton Koha.net.

“Gjëja kryesore për mua ishte se jam përpjekur maksimalisht të tregohem profesionist, pavarësisht të gjithave. Kam bërë punën time dhe kam pritur rastin, të cilin e kam shfrytëzuar në momentin që e kam pasur”, ka thënë Mustafi. “Në fillim të edicionit ishte shumë vështirë për shkak se nuk luaja, por jam një person që gjërat i marr me pozitivitet. Kjo më ka ndihmuar shumë dhe tani jam shumë i lumtur”.

Mustafi, 27-vjeçar, deri më tash ka 16 paraqitje në të gjitha garat, duke kontribuar me një gol dhe një asistim. Ai është pjesë e Arsenalit prej vitit 2016, kur u transferua nga Valencia për 41 milionë euro dhe me ekipin londinez ka kontratë deri në vitin 2021. Mustafi karrierë ka bërë edhe te skuadra nga Italia, Sampdoria. Sipas Mustafit të gjitha meritat për ringjalljen e tij i ka trajneri Arteta, që gjithashtu ka ndikuar edhe në përmirësimin e lojës së ekipit.

“Nëse klubi vendos që të vazhdojmë bashkëpunimin, atëherë do të jem shumë i lumtur. Përse të mos mbetem këtu. Por, nëse nuk jemi të mendimit të përbashkët, atëherë më duhet të lëviz përpara”, tha Mustafi.