Pasi fitoi derbin e madh ndaj Gjilanit, Drita udhëton në Vushtrri ku synon të bëjë hapin e ardhshëm drejt sigurimit të daljes në Evropë. Ndeshja Vushtrria – Drita e hap xhiron e 19-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll, ndërsa zhvillohet të premten (nesër) nga ora 13:00 në stadiumin “Bajram Aliu”.
Drita e Gjilanit aktualisht është e dyta në tabelë me 34 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vend të tretë. Ballkani prinë me 37 pikë. Pozita e dytë siguron daljen në Evropë, përkatësisht në kualifikimet e Ligës së Evropës. Por synim i Dritës është titulli i kampionit, që siguron paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Drita është në moment të mirë pas fitores ndaj Gjilanit në derbin më të madh të futbollit kosovar. Momentin e mirë, Drita synon ta shfrytëzojë për të fituar tri pikë të reja dhe për të rritur kështu presionin te lideri, Ballkani.
“Është ndeshje e rëndësishme për ne. Vushtrria nuk është në moment shumë të mirë, por ne duhet të jemi të kujdesshëm. Shpesh këto skuadra dinë të bëjnë probleme serioze, andaj do t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh. Natyrisht, shpresojmë në fitore”, ka thënë sulmuesi i Dritës, Kastriot Rexha.
Vushtrria është e parafundit (11) me vetëm 15 pikë. Vushtrria ka telashe me fond të lojtarëve dhe gjasat e saj për të mbetur në elitë nuk vlerësohen të mëdha.
“Ne do të paraqitemi me ekipin më të mirë dhe do të mundohemi të fitojmë. Drita është skuadër shumë e fortë dhe një kundërshtar shumë i vështirë. Është skuadër e pjekur, por ne presim përkrahjen e shikuesve për t’i bërë ballë Dritës. Edhe pse nuk jemi në moment të mirë, kurrë më shumë se tani nuk na duhet ndihma e tifozëve”, ka thënë trajneri i Vushtrrisë, Fitim Llapashtica.
Ndeshjet tjera të xhiros së 19-të luhen të shtunën e të dielën.

