Sport

Sulmohet autobusi i KB Bashkimit pas ndeshjes ndaj Pejës, klubet e dënojnë

Pas ndeshjes së mbrëmshme ndaj KB Pejës është sulmuar me gurë autobusi i lojtarëve të KB Bashkimit, ka bërë të ditur klubi prizrenas përmes një postimi në Facebook.

Fatmirësisht nuk ka pasur lojtarë të lënduar nga ky sulm, transmeton Koha.net. E gjithashtu të dyja klubet e kanë dënuar këtë sulm.

“Autobusi që bartë lojtarët tanë është sulmuar me gurë nga disa persona pas ndeshjes në dalje të qytetit të Pejës. Gurët e hedhur kanë dëmtuar pjesën e përparme dhe anësore të autobusit, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur pasoja tek lojtarët dhe ekipi. Sulmi ka ndodhur derisa autobusi i ekipit ka qenë i përcjellur nga policia, e cila menjëherë ka bërë raportimin e rastit”, ka shkruar Bashkimi.

KB Bashkimi thotë se kjo është hera e dytë që sulmohet autobusi i ekipit, pasi që më parë kishte ndodhur një incident të tillë edhe në Mitrovicë.

“Ftojmë Federatën e Basketbollit të Kosovës që t'i ketë parasysh këto rastet dhe të merr masat e duhura për parandalimin e sulmeve të tilla edhe në të ardhmen. Aktet e tilla nuk i përkasin basketbollit dhe duhet të dënohen menjëherë”, shkruan KB Bashkimi.

Derisa KB Peja thotë se e ka kuptuar se gjatë kthimit të ekipit të KB Bashkimit në Prizren, autobusi i tyre është sulmuar në dalje të qytetit.

“Si klub e dënojmë këtë sulm dhe i gëzohemi faktit që ka përfunduar pa ndonjë lëndim tek ekipi i Bashkimit. Inkurajojmë Policinë e Kosovës që të hetojë rastin dhe kryesit e kësaj vepre të shëmtuar të dalin para drejtësisë. Shpresojmë që akte të tilla të mos përsëriten më në asnjë vend të Kosovës”, ka shkruar KB Peja.