Sport

Berisha i gatshëm për Wolfsburgun

Foto: Fortuna Duesseldorf

Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha, ka lënë pas vetes problemet muskulore dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës kampionale që Fortuna Duesseldorfi e luan këtë vikend në udhëtim ndaj Wolfsburgut, kanë raportuar të enjten mediumet gjermane.

Shkaku i problemeve muskulore, Berisha u detyrua të pauzojë për ndeshjen e 1/8 të finales së Gjermanisë, të cilën Fortuna e fitoi 5:2 kundër Kaiserslauternit të martën mbrëma, transmeton Koha Ditore.

“Berisha ka stërvitur me ekipin dhe tashmë ka tejkaluar problemin që e kishte. Ai do të jetë i gatshëm për të na ndihmuar për ndeshjen e radhës”, ka thënë trajneri i Fortunas, Uwe Roesler.

Fortuna do të luajë kundër Wolfsburgut të shtunën prej orës 15:30 në kuadër të xhiros së 21-të të Bundesligës.

Berisha 26-vjeçar, gjatë afatit kalimtar të janarit u huazua te Fortuna nga Lazio deri në fund të këtij edicioni. Ai tashmë ka debutuar me ekipin gjerman, i cili zë vendin e parafundit në tabelë me 16 pikë.