City monitoron situatën e Messit te Barcelona, i gatshëm të shfrytëzojë rastin për ta transferuar Foto: Ilustrim

City monitoron situatën e Messit te Barcelona, i gatshëm të shfrytëzojë rastin për ta transferuar

06 February 2020 12:52

Manchester City është duke monitoruar rrëmujën që ka përfshirë Lionel Messin te Barcelona dhe beson se mund ta transferojë në Etihad, nëse argjentinasi vendos të largohet nga Camp Nou, kanë thënë burime të “ESPN”.

Messi është përplasur me drejtorin sportiv te Barcelona, Eric Abidal, pas deklarimeve të tij se futbollistët detyruan largimin e Ernesto Valverdes.

32-vjeçari raportohet se ka një klauzolë që e lejon largimin e tij nga klubi si lojtar i lirë në fund të sezonit, edhe pse nuk dihet nëse ai mund t’i bashkohet ndonjë rivali në Ligën e Kampionëve. Kampioni i Premier Ligës e pranon se është i vështirë transferimi i Messit, por ka shprehur interesimin nëse ai vendos për një gjë të tillë, transmeton Koha.net.

City mbetet favorit për shërbimet e lojtarit për shkak të lidhjes që ka Lionel Messi me drejtorin sportiv Txiki Begiristain, shefin ekzekutiv Ferran Soriano dhe trajnerin Pep Guardiola. Messi e Guardiola fituan tre tituj kampioni në Spanjë dhe dy herë Ligën e Kampionëve në katër sezone në Camp Nou mes viteve 2008 dhe 2012.

City po ashtu raportohet se është ndër të paktat klube që mund të sigurojnë pagën prej 50 milionë funteve në vit për lojtarin.

Drejtori sportiv i Barçës, Abidal, këtë javë tha se “shumë futbollistë s’ishin të lumtur nën Valverden dhe nuk punuan shumë”, kur u pyet për largimin e trajnerit. Messi iu përgjigj duke kërkuar nga francezi të japë emra e të mos përfshijë të gjithë lojtarët.

Pavarësisht kësaj, burimet kanë thënë për “ESPN” se Messi i ka siguruar krerët e Barcelonës se dëshiron kalimin e incidentit dhe është i fokusuar në caqet e klubit për fund të sezonit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme