Sport

Jupa për herë të pestë më i miri, Muratoviq për herë të parë

Kastriot Jupa për herë të pestë është shpallur hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Federata e Hendbollit e Kosovës të enjten ka shpallur më të dalluarit e vitit 2019, ndërsa çmimi kryesor i ka takuar Jupës, pivotit gjakovar që luan me shumë sukses te skuadra pejane Besa Famgas.

Jupa është dalluar edhe me fanellë të Kosovës, por çmimin e ka fituar falë suksesit me Besën. Ai vitin e kaluar fitoi titullin e kampionit, ndërsa në vjeshtë nuk ka pësuar asnjë humbje me Besën, shkruan sot Koha Ditore.

Jupa ishte shpallur katër herë rresht hendbollisti i vitit në Kosovë, ndërsa vitin e kaluar u shpall Deniz Terziqi. Por Jupa përmbylli një tjetër vit të suksesshëm dhe ktheu çmimin e më të mirit, shkruan sot Koha Ditore.

“Jam i lumtur për këtë çmim. Është shpërblim për punën e madhe që kam bërë vitin e kaluar dhe për suksesin e arritur. Shpresoj që të vazhdojë me suksese”, ka thënë Kastriot Jupa.

Ndërkohë çmimi i hendbollistes më të mirë të vitit 2019 i ka takuar Esma Muratoviqit, që më nuk është pjesë e hendbollit kosovar. Muratoviq, që është nga Mali i Zi, ka udhëhequr vitin e kaluar Istogun drejt suksesit maksimal. Istogu fitoi titullin e Kupën, ndërsa është edhe kampion vjeshtor. Muratoviq javë më parë është transferuar nga Istogu te një skuadër spanjolle. Muratoviq nuk ishte në ceremoninë e mbajtur në Prishtinë, por është deklaruar falënderuese përmes një video-mesazhi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)