Shumë personalitete kanë kujtuar një nga sportistët më të mirë të të gjitha kohërave, basketbollistin amerikan Kobe Bryant.
Ai vdiq të dielën në mëngjes, në California sipas një aksidenti me helikopter bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë.
Dëshmitarët në këtë qytet, kanë dëgjuar një helikopter që fluturonte ulët dhe dukej se kishte probleme, raporton Reuters.
Pas ngjarjes tragjike, nderime nga adhuruesit e tij, të famshëm, politikanë e sportistë të shumtë, kanë mbushur rrjetet sociale.
“Nuk ka fjalë që shprehin dhimbjen që jam duke kaluar nga humbja tragjike e mbesës sime Gigi dhe vëllait Kobe Bryant. Ju dua dhe do të na mungoni”, shkroi në “Twitter” Shaquille O'Neal, ish-bashkëlojtari i Bryantit.
Ylli i basketbollit, ishte kampion i pesëfishtë në NBA derisa gjatë gjithë karrierës së tij 20-vjeçare luajti për Los Angeles Lakers.
Ai, gjithashtu, mori pjesë 18 herë në ekipin e yjeve të NBA-së, si dhe në vitin 2008 u shpall basketbollisti më i mirë i stinorit dhe dy herë MVP i finaleve.
Deri një ditë para vdekjes ishte i treti në listën e shënuesve më të mirë në historinë e NBA-së me 33 mijë e 643 pikë të shënuar, derisa e kaloi LeBron James në ndeshjen e së premtes, transmeton KTV.
Ai me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitet 2008 dhe 2012, e ka fituar edhe medaljen e artë olimpike.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, shkroi se Kobe ishte legjendë dhe i shprehi ngushëllimet familjes së tij në emër të tij e Michelle-it.
E momente të heshtjes janë mbajtur në të gjitha ndeshjet e basketbollit në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, ngjarja kulturore e Grammy Awards, që u mbajt në LA, kaloi e gjitha në shenjë respekti për karrierën e Kobeyt.
“Të gjithë po ndiejmë sot dhimbje të tmerrshme, sepse Los Angeles, Amerika dhe e gjithë bota humbi një hero. Ne po qëndrojmë sot këtu zemërthyer në shtëpinë që Kobe Bryant e ndërtoi”, ka thënë këngëtarja Alicia Keys.
Mirëpo, suksesi i tij në parket u shkund ndjeshëm në vitin 2003, kur një 19-vjeçare, punonjëse e një hoteli, e akuzoi për përdhunim.
Bryanti, atëherë 24-vjeçar, u akuzua për sulm, ndërsa rastit i erdhi fundi pas 14 muajsh proces. Akuzuesja vendosi të mos dëshmonte në Gjykatë, e prokurorët e tërhoqën rastin më 1 shtator të vitit 2004.
Po të njëjtin vit, punonjësja e hotelit përgatiti një padi civile që përfundoi me një marrëveshje jashtë gjykatës.
Pas përfundimit të procesit, Bryanti përkrah bashkëshortes së tij Vanessa, mbajti një konferencë për media, në të cilën pranoi se ka kryer tradhti bashkëshortore, por kishte thënë se është i pafajshëm në lidhje me rastin dhe nuk bëhej fjalë për dhunim.
Ish-basketbollisti, ka lënë pas vetes bashkëshorten Vanessën dhe vajzat Natalia, Capri dhe Bianka.