Sport

UEFA rrit mundësitë për klubet shqiptare për t’u përfaqësuar në Evropë

Descriptive Text

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar klubet dhe opinionin sportiv shqiptar në lidhje me qarkohen më të fundit të UEFA-s, e cila informon lidhur me ndryshimet e formatit të garave të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës për ciklin 2021-2024.

Kështu, sipas qarkores 5/2000, ky format u jep klubeve shqiptare më shumë mundësi për të luajtur në fazën e grupeve të garave evropiane. Kjo do të ndikojë në motivimin e klubeve dhe angazhimin e tyre në arenën evropiane. Gjithashtu, kjo mund të ndihmojë klubet edhe nga ana financiare. Përmes këtij formati, të paktën 34 federata do jenë të përfaqësuara në fazën e grupeve, në një prej garave.

Formati do të jetë me këtë strukturë:

  • Liga e Kampionëve – 32 ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe -125 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;
  • Liga e Evropës – 32 ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 141 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;
  • Liga e Konferencës Evropiane – 32 Ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 141 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;

Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e 38-të të UEFA-s, ku nga përcaktimi i formatit të ri, në rast se vendi do të vijojë të mbajë këtë vend në renditje, do të mund të përfaqësohet me 4 ekipe, ku:

1. Ekipi kampion i Shqipërisë hyn në Raundin e Parë të Ligës së Kampionëve;

2. Fituesi i Kupës së Shqipërisë hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë; (në rast se fituesi i Kupës së Shqipërisë është i njëjtë me vendin e parë, të dytë ose të tretë, vendi kalon tek vendi i katërt në kampionat);

3. Vendi i dytë në kampionat hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë;

4. Vendi i tretë në kampionat hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë.

Sipas skemës së formatit të propozuar:

  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Parë të Ligës së Kampionëve, atëherë kalon në Raundin e Dytë të Ligës së Konferencës;
  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Dytë të Ligës së Kampionëve, atëherë kalon në Raundin e Tretë të Ligës së Evropës;
  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Tretë dhe Playoff-et e Ligës së Kampionëve, respektivisht luan playoff ose kalon direkt në Fazën e Grupeve të Ligës së Evropës;
  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Tretë të Ligës së Evropës, atëherë kalon ne Raundin Play-Off të Ligës së Konferencës;
  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin Play-Off të Evropa Ligës, atëherë kalon në Fazën e Grupeve të Ligës së Konferencës.

Kalendari, pavarësisht se planifikohet të mbahet ai i njëjti i Garave të Klubeve UEFA, do të saktësohet në periudhën në vijim.

  • Oraret e ndeshjeve do të jenë 18:55 dhe 21:00, e martë, e mërkurë dhe e enjte;
  • E marta dhe e mërkura do rezervohen për Ligën e Kampionëve;
  • Liga e Evropës dhe ajo e Konferencës do i ndajnë ndeshjet në mënyrë të barabartë në dy oraret e të enjtes;
  • Për ndeshje që do luhen në zona mbi dy orë nga ora evropiane do rezervohet orari 16:30.
  • Nivelet e shpërndarjes financiare dhe pagesat e solidaritetit për klubet pjesëmarrëse do të komunikohen nga ana e UEFA-s në vijim, gjatë këtij viti.