Një ekspert për parandalimin e dëmtimeve u ka bërë thirrje administratorëve të futbollit të shikojnë përsëri në kalendarin e ndeshjeve, duke insistuar se futbollistët në të gjitha nivelet duhet të trajtohen si "njerëz para sportistëve dhe sportistë para ndërmarrjeve tregtare".
Jamie Salter, një pedagog në shkencat e stërvitjes në Universitetin “York St. John”, i cili këshillon sportistët për uljen e rrezikut nga dëmtimi, beson se duhet të japë ndihmën e tij në këtë aspekt, dhe ka bërë thirrje që shefat e këtij sporti të marrin në konsideratë alternativa për orarin e ngjeshur në Angli, sidomos duke pasur parasysh për FA Cup e Carabao Cup, transmeton Koha Ditore.
Sipas tij, këto gara duhet të ndryshojnë patjetër dhe të zhvillohen me sistem eliminimi.
Sulmuesi i Liverpoolit, Sadio Mane u bë lojtari i fundit i profilit të lartë në Premier League që u lëndua brenda këtij muaji, pasi në ndeshjes e së enjtes mbrëma kundër Wolverhamptonit, ai u detyrua ta lëshojë fushën për shkak të lëndimit të muskulit të këmbës.
Mane ka luajtur gati pa pushim që nga vera e vitit 2017. Ai u paraqit në botërorin “Rusia 2018” për Senegalin para se të ishte startues në 35 prej 38 ndeshjeve me Liverpoolin në Premier League përgjatë edicionit 2018/19.
Krahas kësaj, Mane luajti në të gjitha 13 ndeshjet në kuadër të Championsit, garë të cilën e fitoi Liverpooli. Ai pastaj luajti edhe në gjashtë ndeshje në Kupën e Afrikës për Senegalin, që përfundoi më 19 korrik të vitit të shkuar.
Menjëherë, më 9 gusht, Mane ishte në aksion për Liverpoolin për shkak se nisi edicioni 2019/20 në Anglia dhe deri më tani, senegalezi ishte titullar në 21 prej 23 ndeshjeve kurse ka qenë i padiskutueshëm në gjashtë duelet e fazës së grupeve të Championsit.
“Gjithçka që mbron futbollistët nga lëndimet është një gjë e mirë për shkak se mbi të gjitha, ata janë njerëz dhe kanë nevojë për pak pushim. Orari i ndeshjeve në Angli duhet të rishikohet nëse ekipet duan sadopak të mbrojnë yjtë. Futbollistët nuk mund të luajnë pa pushim dhe kjo rrezikon karrierën e tyre nga lëndimet e shpeshta”, shtoi Salter. “Ekipet duhet të mendojnë ndryshe dhe jo të mundohen që lojtarët çdo orë t’i vendosin në televizion për shkak se nuk janë produkte. Shkaku i kësaj ngarkese, ata vuajnë nga lëndimet. Forca dhe shpejtësia shpesh nuk mund të arrihen nëse lojtari luan çdo tri ditë, pasi trupi i tyre është në rrezik”.
Sipas Salterit nuk ia vlen që ndeshjet e FA Cup dhe Carabao Cup, të zhvillohen me sistem të dyfishtë të ndeshjeve.
Ai thotë se shkaku i këtyre trofeve që nuk janë shumë të rëndësishëm, disa prej ekipeve kanë mbetur pa lojtarët kyç në kampionat. Sipas tij, rasti më i freskët janë sulmuesit Marcus Rashford e Harry Kane. Këta të fundit, kanë pësuar lëndime gjatë këtij muaji dhe si Manchester Unitedi ashtu edhe Tottenhami po vuajnë mungesën e tyre.
Si Rashford ashtu edhe Kane pritet të qëndrojnë për një kohë më të gjatë jashtë fushave.
“Nëse Tottenhami nuk e ka Kanen për një ndeshje të rëndësishme në Premier League, atëherë me cilin futbollist do ta fitojë atë. Tottenhami për momentin po e vuan mungesën e Kanet sikurse edhe Manchester Unitedi atë të Rashfordit. E gjithë kjo ka ardhur për shkak të ngarkesave dhe orarit të ndeshjeve të kupave”, është shprehur Salter.
Këtë vikend në Angli do të zhvillohen ndeshjet në kuadër të FA Cup kurse vikendin e ardhshëm, do të jenë në program çerekfinalet e Carabao Cup.
-
24 janar 2020 22:31
-
Shpërndaje në: