Sport

Solskjaeri kërkon durim për ta rindërtuar Unitedin

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer është më se i bindur se do t’i jepet më shumë kohë për të kompletuar projektin e rindërtimit në “Old Trafford”.

Madje, Solskjaer ka insistuar se për këtë ka edhe përkrahjen e hierarkisë së klubit.

Pas dy humbjeve rresht në kampionat, nga Liverpooli dhe Burnley, Solskjaer është futur nën presion të madh për shkak se tifozët po e kërkojnë largimin e tij, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reuters.

Aktualisht, Manchester Unitedi ka gjashtë pikë më pak se Chelsea, që zë vendin e katërt në tabelë, i cili siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.

Në konferencën e mbajtur për shtyp të premten, në prag të ndeshjes së raundit të katërt në kuadër të FA Cup ndaj Tranmere Rovers, Solskjaer ka insistuar se ekipi nuk ka nevojë urgjente për t’u përmirësuar pas dy humbjeve rresht në kampionat.

“Nuk mund të reagojmë edhe ndaj zhurmës jashtë ekipit. Është e natyrshme që do të ketë kritika të mëdha, por duhet të jemi të fortë mentalisht. Kam besim tek gjithë ekipi dhe besoj në rezultate të mira, por duhet pasur durim për projektin e rindërtimit për të cilin edhe kam ardhur këtu”, është shprehur Solskjaer. “Nuk mund ta ndryshoj ekipin brenda gjashtë apo nëntë muajve dhe këtë e dinë të gjithë në klub. Për këtë arsye kam edhe përkrahjen e drejtuesve, të cilët do të më japin më shumë kohë në dispozicion”.

Manchester Unitedi, aktualisht ka tubuar 34 pikë pas 24 ndeshje – 11 më pak sesa në edicionin e shkuar në të njëjtën kohë – por Solskjaer do të vazhdojë me planin e tij afatgjatë në krye të ekipit.

Sa i përket afatit kalimtar të janarit, Solskjaer shpreson që klubi të paktën të bëjë një përforcim pas lëndimeve të Marcus Rashfordit, Paul Pogbas dhe Scott McTominayt.

“Afati kalimtar i janarit gjithmonë është shumë i vështirë, por ne po përpiqemi të bëjmë diçka. Fokusi ynë për përforcime do të mbetet në verë ku edhe besoj se do të kompletojmë një ekip shumë më të fortë”, ka thënë Solskjaer.

Trajneri norvegjez në krye të Manchester Unitedit në dhjetor të vitit 2018 për ta zëvendësuar Jose Mourinhon e shkarkuar. Ai fillimisht u emërua si trajner i përkohshëm deri në fund të edicionit por në fund të muajit mars të vitit të shkuar atij iu ofrua kontrata tri vjeçare të cilin edhe e firmosi.

Deri para nënshkrimit të kontratës, Manchester Unitedi nën drejtimin e Solskjaerit kishte 14 fitore në 19 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat.

“Mund të them që të gjitha bisedat që i kam pasur me krerët e klubit kanë qenë pozitive dhe për këtë arsye do të vazhdoj me punën time, duke shpresuar që do të bëhet mirë”, u shpreh ai.

Skuadra e Manchester Unitedit zë vendin e pesë në tabelë, me 33 pikë më pak se Liverpooli që është lider dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.