Nora synon medaljen në Izrael, të tjerave u mjafton përvoja

Nora synon medaljen në Izrael, të tjerave u mjafton përvoja

23 January 2020 08:28

Xhudistja Nora Gjakova ka mësuar kundërshtaren e parë për turneun Grand Prix në Tel-Aviv, që nis sot, por vetëm pasi të ndeshet me të do të mësojë nëse është në formën që po e kërkon ajo dhe trajneri i saj, Driton Kuka.

Në shortin e hedhur të mërkurën, Norës si bartëse në kategorinë e saj, atë deri në 57 kg, i ka rënë të ndeshet me xhudisten nga Hong-Kongu, Po Sum Leung në kuadër të Grupit A. Në rast të triumfit, gjë që pritet, atëherë Gjakova në 1/8 e finales do të përballet me fituesen e meçit tjetër të këtij grupi, që do të zhvillohet ndërmjet Jisu Kim (Koreja e Jugut) dhe Anastasiia Konkina (Rusia). Në këtë kategori, por në Grupin C, do të paraqitet edhe Flaka Loxha, që në raundin e parë do ta ketë përballë xhudisten nga Kazakistani, Sevara Nishanbayeva.

“Realisht, nëse Nora është në ditën e saj më të mirë, mund të them se ka gjasa për të fituar medalje dhe ta nisë vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. Por duhet pasur parasysh se aspak nuk e ka shortin e lehtë, pasi brenda grupit e ka koreanen Kim”, ka thënë trajneri Kuka. “Jemi në kërkim të formës së Norës dhe do të shohim se deri ku do të arrijë”.

Turneu në Tel-Aviv, i pari i madh i vitit 2020, nis sot e mbaron të shtunën. Kosova përfaqësohet edhe me Erza Muminoviqin (52 kg) e Laura Fazliun (63 kg). Kjo garë vlen shumë edhe për pikë olimpike, të cilat janë të domosdoshme për Norën, që tashmë ndodhet në zonën e normës, por edhe për Fazliun, që papritur, falë ngritjes së madhe, është futur në garë për të siguruar normën olimpike. Ka katër muaj për të arritur këtë qëllim.

Edhe Muminoviq do të garojë të enjten (sot), e Fazliu do të paraqitet në tatami një ditë më vonë, të premten. Muminoviq është pjesë e Grupit C në kategorinë deri në 52 kilogramë dhe luftën e parë do ta ketë kundër brazilianes Sarah Menezes. Kjo e fundit është fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Nëse kalon këtë pengesë, Muminoviq do të kualifikohet në çerekfinale, ku e pret fituesen e duelit ndërmjet Primo Gefen (Izrael) e Laura Bajo (Spanjë). Ndërkohë, Fazliu të premten, e pret fituesin e duelit ndërmjet Ekaterina Valkovas të Rusisë dhe meksikanes Prisca Awiti Alcatraz, Fazliu nis garën prej raundit të dytë.

Për dallim prej Gjakovës që ka gjasa për medalje, trajneri Kuka thotë se Fazliu, Muminoviq e Loxha po marrin pjesë në këtë turne për të fituar përvojë.

“Garueset e tjera i kemi dërguar për përvojë, pasi ky është debutimi i tyre në nivel të tillë garash. Paraqitja e tyre do të jetë pasqyrë për mua për garat e tjera në të ardhmen”, është shprehur Kuka.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme