Sport

Solskjaer pret shkëlqimin e Lingardit pasi i ka lënë rrjetet sociale

Descriptive Text

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se Jesse Lingard ka ulur aktivitetin në rrjetet sociale për të kthyer formën e tij më të mirë në gjysmën e dytë të stinorit.

Lingard ka dështuar të shënojë apo asistojë në Premier League në vitin 2019 dhe ka humbur vendin në përbërjen e Anglisë, para Evropianit 2020, shkruan sot Koha Ditore.

“Jesse ka pasur momentet kulmore dhe rëniet, kam folur me të për këto çështje”, ka thënë Solskjaer në konferencën për media para ndeshjes së parë gjysmëfinale të League Cup kundër Manchester Cityt, që zhvillohet të martën. “Ne duam që ai t’u kthehet golave dhe asistimeve. Nuk ka asnjë që vrapon më tepër, ai bën presion të jashtëzakonshëm, është shumë i gjallë”.

Lingard së fundi në një intervistë për “Daily Mail” ka thënë se ishte frikësuar për të ardhmen e tij te Manchester Unitedi, pasi kishte postuar një video bizare në rrjetet sociale së bashku me bashkëlojtarin Marcus Rashford.

Solskjaer ia tërhoqi vërejtjen mesfushorit për sjelljen e tij dhe ka thënë se është me rëndësi të flitet me lojtarët se si të portretizojnë veten online.
“Nuk besoj se do të shihni aq shumë në rrjetet sociale sa jeni mësuar të shihni nga Jesse. Ai po punon fort. E kam njohur atë për shumë vjet dhe ai po kthehet te Jesse që e kam njohur”, ka thënë trajneri norvegjez.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)