Sport

Veton Berisha kërkon kalimin te Vikingu

Sulmuesi Veton Berisha po kërkon me çdo kusht transferimin te Vikingu, por skuadra e Brannit me të cilën ka kontratë deri në fund të vitit 2022 po refuzon një gjë të tillë.

Në një intervistë për mediumet norvegjeze të enjten, Berisha ka thënë se po shpreson që Branni gjatë këtij muaji të pranojë ofertën për shërbimet e tij, pasi personalisht ka arritur marrëveshje me Vikingun.

Vikingu ka ofruar 500 mijë euro dëmshpërblim, por Branni tashmë disa herë ka refuzuar ofertat, pasi po e vlerëson Berishën si të pashitshëm.

“Dua të largohem nga Branni për t’iu bashkuar Vikingut për edicionin e ri. Shpresoj që gjatë këtij muaji të arrihet marrëveshja mes klubeve dhe Branni të respektojë dëshirën time”, është shprehur Berisha 25-vjeçar, i cili edicionin e fundit ka shënuar tre gola dhe ka bërë tetë asistime në 26 ndeshje kampionale.

Berisha për katër edicione ka luajtur te Vikingu (2011-2015) përpara se të largohej për të vazhduar karrierën te Greuther Fuerthi. Ai ka luajtur edhe te Rapidi i Vjenës, kurse në Norvegji është kthyer në fillim të këtij viti. Ka edhe katër ndeshje dhe një gol të shënuar me Norvegjinë.