Messi pos në fushë, është i madh edhe jashtë saj

Messi pos në fushë, është i madh edhe jashtë saj

16 December 2019 10:17

Lionel Messi njihet si një nga fenomenet e mëdha që ka parë bota e sportit.

Të gjithë e njohin fituesin e “Topit të Artë”, që shënon gola të shumtë te Barcelona dhe që ka shprehi t’ua fusë frikën në bark mbrojtësve kundërshtarë.

Mirëpo, ajo për të cilën nuk flitet shumë, është puna e tij bamirëse.

I shtyrë nga përjetimet e tij si fëmijë i sëmurë në Argjentinë, duke kërkuar doza ditore të injeksioneve për të luftuar mungesën e hormoneve për rritje, Messi 32-vjeçar ofron vazhdimisht ndihmë nëpërmjet “Leo Messi Foundation” për fëmijët në nevojë, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”.

SunSport shikon veprimet bamirëse të yllit argjentinas, përfshirë angazhimet e tij për të udhëtuar nëpër botë si ambasador i UNICEF-it e deri te iniciativa për të ndihmuar fëmijët e paprivilegjuar.

Fondacioni Leo Messi

Në vitin 2007, argjentinasi i famshëm, që vlerësohet se ka pasuri rreth 370 milionë euro, vendosi të hapë një fondacion për bamirësi.

Ishte një vizitë në një spital në Boston në SHBA, ku Messi shpërtheu në lot kur pa fëmijët e sëmurë nga sëmundjet e pashërueshme dhe e inkurajuan atë që të dedikojë një pjesë të pagës së tij për bamirësi.

“Pasi vizitova një spital një ditë, e kuptova rëndësinë e veçantë që ka një figurë publike. E kuptova se një futbollist i famshëm vërtet mund të ndihmojë ata fëmijë të sëmurë”, kishte thënë Messi.

“Vetëm të jesh atje e të buzëqeshësh, u jep atyre një gëzim të veçantë dhe një dëshirë më të madhe për të luftuar, pasi ata vërtet besojnë se mund të tejkalojnë sëmundjen dhe të jenë në gjendje të ndjekin ëndrrat e tyre. Unë kam realizuar ëndrrën time që të bëhem futbollist profesionist dhe dua të bëj ata të kuptojnë se kam luftuar fort për të arritur atje dhe duhet të luftoj edhe më fort për të mbetur ku jam. Dua të shfrytëzoj atë angazhim dhe sukses për të ndihmuar fëmijët që kanë nevojë më së tepërmi. Kam marrë këtë vendim pasi më emocionon çdo ditë të shoh një fëmijë duke buzëqeshur kur mendon se ka shpresë dhe kur shoh se janë të lumtur. Për këtë arsye kam vendosur të krijoj Fondacionin Leo Messi. Do të vazhdoj të luftoj për të bërë fëmijët e lumtur dhe do të bëj këtë me të njëjtën forcë dhe përkushtim që më duhet për të vazhduar të luaj futboll”, shtoi ai.

Motoja e fondacionit është “Zgjedh të besosh”, një moto të cilën e ka ndjekur Messi vetë gjatë jetës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme