Federata e Futbollit e Kosovës po i përmbahet planit të saj për të organizuar zgjedhje vetëm për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të saj.
Por, me të nisur ky proces kanë nisur edhe përplasjet në lidhjet rajonale që edhe përbëjnë FFK-në. Është një prej klubeve më të suksesshme në vend, Besa e Pejës, që të enjten mbrëma ka lëshuar një reagim publik ndaj Lidhjes Rajonale të Futbollit në Pejë. Besa ka vlerësuar se veprimet e LRFPE-së janë të kundërligjshme, shkruan sot Koha Ditore.
Lidhja Rajonale e Futbollit të Pejës të enjten lëshoi një njoftim që mban datën e 10 dhjetorit. Në të bëhet e ditur për disa vendime që janë marrë në mbledhjen e Bordit të LRFP-së mbajtur më 10 dhjetor në lokalet e Departamentit për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë, e ku prezent ishin kryetari i LRFP-së, Bakir Burri, nënkryetari Avdi Gashi dhe anëtarët e Bordit, Idriz Elezaj, Gani Metaj, Rexhep Daci, Hysni Muzlija dhe Ilir Nallbani.
“Bordi i LRFPE-së në përkrahje të plotë përkrahu Bakir Burrin të përfaqësojë Lidhjen Rajonale të Pejës në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së për mandatin kohor 2020 -2024. Njëkohësisht kërkoi mbështetjen e delegatëve nga klubet e regjionit”, thuhet në njoftimin e Lidhjes Rajonale të Pejës. Menjëherë ka reaguar Besa e Pejës, klubi më me nam i kësaj lidhjeje.
Besa ka akuzuar për veprime hileqare dhe të fshehta të udhëheqësve të LRFPE-së.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)